Kombëtare

Zjarri përfshin një pjesë të shkollës “Ilir Konushevci” në Llugë të Podujevës

Një pjesë e Shkollës Fillore e Mesme e Ulët “Ilir Konushefci” në fshatin Llugë sot në mëngjes është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar dëme në këtë objekt.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vizitoi këtë shkollë për t’u njoftuar nga afër me gjendjen e objektit dhe dëmet e shkaktuara si pasojë e zjarrit.

Bulliqi tha në bazë të informacioneve të para zjarri në fillim ka përfshirë kulmin e objektit dhe falë intervenimit të zjarrfikësve dhe policisë zjarri është lokalizuar.

“Fatmirësisht zjarri nuk ka shkaktuar dëme në njerëz. Janë dëmtuar dy dhoma mësimi dhe tri banjo” tha kryetari Bulliqi.

Lidhur me shkaktarin e zjarrit do të deklarohen organet kompetente, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Komuna do të intervenojë në kohën sa më shpejtë për sanimin e dëmeve të shkaktuara, ndërsa deri në krijimin e kushteve për mësim në objekt shkollor, për nxënësit e shkollës “Ilir Konushefci” mësimi do të zhvillohet online. /Kosova.info/