Kosova

Zhvillimet e fundit politike në Kosovë nxisin valë të re mbështetje për Albin Kurtin në internet

Tensionet brenda ish-koalicionit qeveritar në Kosovë, të cilat kulmuan me shkarkimin e qeverisë së kryeministrit nga radhët e Vetëvendosjes Albin Kurti pas miratimit të mocionit të mosbesimit kanë nxitur një valë të re mbështetjeje ndaj Kurtit në rrjetet sociale.

Një grup në Facebook i quajtur #meKryeministrin ia ka dalë të arrijë një numër rekord mbështetësish prej rreth 250 mijë përdoruesish në vetëm një javë nga krijimi i tij.

Grupi i ri shërben si një hapësirë mbështetjeje për lëvizjen deri vonë opozitare Vetëvendosje në Kosovë që për herë të parë u ngjit në qeveri, pavarësisht se për një kohë mjaft të shkurtër prej vetëm 50 ditësh.

Në përshkrimin e tij shkruhet: “Ky grup është krijuar nga qytetarë të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për situatën dhe gjendjen politike në vend. Ne, në kohën kur Covid-19 është shpallur pandemi, respektojmë masat e Qeverisë, dhe protestojmë në rrjete sociale e po ashtu, në formë të organizuar nga shtëpitë kundërshtojmë mocionin e inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për rrëzimin e Qeverisë Kurti!”

Facebook është rrjeti social më i përdorur në Kosovë.

Të dhënat e Social Bakers, një kompani që përdor inteligjencën artificiale për marketingun në rrjetet sociale, tregojnë gjithashtu se faqja e kryeministrit në detyrë të Kosovës Albin Kurti ka parë rritjen më të madhe në muajin e fundit me rreth 75 mijë ndjekës të rinj.

Edhe Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, renditet e katërta faqe me rritjen më të lartë gjatë muajit të fundit në Kosovë, me +28 mijë ndjekës të rinj.