Bota

Zhvillime të reja në botë, pas suprimimit të dhunshëm të autonomisë së Hong Kong-ut nga Kina komuniste

Pas suprimimit të dhunshëm të autonomisë së Hong Kong-ut nga Kina komuniste, një koalicion ndërkombëtar ndër-partiak me mbi 600 parlamentarë dhe politikbërës nga mbi 30 vende këtë javë lëshoi një deklaratë duke dënuar “prezantimin e njëanshëm nga Pekini të legjislacionit të sigurisë kombëtare në Hong Kong,” dhe duke bërë thirrje për qeveritë për t’u bashkuar kundër kësaj “shkeljeje flagrante të Deklaratës së Përbashkët Sino-Britanike “.

Instituti për Liri dhe Drejtësi njofton se kryetari i këtij instituti Senton Kaçaniku, është pjesë e këtij koalicioni dhe bashkë-nënshkrues i deklaratës së udhëhequr nga ish-Guvernatori i Hong Kong-ut, Lord Patten, pjesë e të cilit janë shumë senatorë dhe kongresmenë amerikanë, parlamentarë dhe figura me ndikim nga demokracitë e zhvilluara.

“Duke ju bashkëngjitur miqve tanë nga Kongresi Amerikan, ishte nder dhe obligim imi që në emër të ILD ta dënoj agresionin komunist Kinez në Hong Kong dhe suprimimin e autonomisë së Hong Kong-ut. ILD beson se liria është e drejtë e patjetërsueshme e secilës qenie njerëzore, dhe demokracia është parakusht për zhvillimin e natyrshëm njerëzor”, ka deklaruar kryetari i institutit, Senton Kaçaniku.

“Ne si Institut dënojmë ashpër agresionin e Partisë Komuniste Kineze dhe mbështesim popullin e Hong Kong-ut në përpjekjet e tij për liri dhe drejtësi. U bëj thirrje Presidentit, Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit, Ministrave dhe Deputetëve të Kosovës që të na bashkëngjiten në këtë deklaratë dhe të shprehin solidaritet me popullin e Hong Kong-ut, në veçanti duke pasur parasysh historinë tonë të dhimbshme që sot po përsëritet në skajin tjetër të botës”, ka deklaruar ai/Telegrafi/