Kombëtare

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore

Në katër komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

Në zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave janë kandidatët nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Bazuar në renditjen e KQZ-së, në garë për kryetar të Leposaviqit janë Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Zoran Todiq nga Lista Serbe.

Në Zubin Potok garojnë Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe.

Në Zveçan, për kryetarin e kësaj komune garojnë, Avdi Peci nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe. Kurse, në Mitrovicën e Veriut garojnë, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në ditën e votimit do të hapen 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime. Janë 12 kandidatë në garë për kryetar në këto komuna, nga tre kandidat për secilën komunë. Në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet, të drejtë vote kanë 57 mijë e 938 votues.

Në Leposaviq, të drejtë vote kanë 18.164 persona, në Zubin Potok 8.535, në Zveçan 9.229 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 22.055 persona më të drejtë vote.

Lista votuese është bazuar në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil, i cili përpilohet nga Agjencia e Regjistrimit Civil.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 media.

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka kërkuar që zgjedhjet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme.

“BE-ja pret që të gjithë aktorët e përfshirë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës të respektojnë integritetin e procesit zgjedhor. BE-ja thekson rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të rekomandimeve të Misionit Vëzhgues të BE-së nga zgjedhjet e kaluara”, ka theksuar Apostolova.

Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia.

Më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.