Kosova

Zëvendësministrat u qëndrojnë besnik shefave të tyre

Në kabinetin e kryeministri Ramush Haradinaj, janë të punësuar rreth 80 zëvendësministra.

Disa prej tyre kanë thënë për gazetën se merren me angazhimet që ua delegojnë ministrat e tyre, të cilëve më pastaj edhe u raportojnë për punën që bëjnë.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Agim Çaka ka thënë për “Zërin” se çdo detyrë që i është deleguar nga ana e ministrit e ka kryer në nivel te kënaqshëm.

“Që në fillim po ju them se raportimi për punët dhe angazhimet e deleguara nga ana e ministrit janë obligim për secilin nga ata të cilët kanë nga një epror të cilit duhet raportuar por megjithatë hapi i parë është dhënia e detyrave nga ana e eprorit e pastaj raportimi për shkallën e përmbushjes apo realizimit te detyrave. Në këtë drejtim mendoj që për pozicionin që kam, kam vepruar brenda kompetencave të mija si zv.ministër por që kapaciteti im profesional ka qenë i pashfrytëzuar sa duhet”, ka thënë ai.

Përndryshe, Çaka ka thënë më tej se si zëvendësministër merret edhe me promovimin e politikave të mira në ministri.

“Përpos detyrave drektë te deleguara nga ana e Ministrit aktivitetet e mija kryesisht kanë qenë të përqendruar në promovimin e punëve dhe politikave të mira në Ministrinë e Shëndetësisë në çfarëdo lloj aktiviteti, tryeza shkencore, konferenca shkencore apo kontakte të drejtpërdrejta me profesionistë shëndetësor dhe qytetarë te kategorive të ndryshme”, ka thënë ai.

Ndërsa, zëvendësministri tjetër në këtë ministri, Granit Abdullahu ka thënë për “Zërin” se punët e tij përcaktohen me ligjet në vend dhe se me përgjegjësi u përgjigjet detyrave që ua cakton ministri.

“Unë si zëvendësministër i shëndetësisë kam një bashkëpunim shumë të mirë me ministrin Uran Ismaili. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur raporte të shkëlqyera profesionale dhe raportime të rregullta. Punët dhe përgjegjësitë e mia përcaktohen shumë mirë edhe me ligjet e Republikës së Kosovës, por natyrisht që unë u jam përgjigjur me shumë vullnet dhe përgjegjësi edhe detyrave që më janë caktuar nga ministri Ismaili. Angazhimi im që nga dita e parë si zëvendësministër ka qenë në të gjitha sferat ku kam pasur mundësinë të kontribuoj, e që kanë qenë të shumta”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, Sami Hajdaraj, zëvendësministër i MAP-it është shprehur optimist se ka kryer me sukses detyrat që i janë caktuar atij.

“Qysh kur jam caktuar zëvendësministër i Mistrisë së Administratës Publike, i kam marrë edhe detyrat e përgjegjësitë e punës, nga ministri Mahir Yagcilar, e që kanë të bëjnë me fushën e inxhinierisë, në plan të parë por edhe detyrat shtesë që lidhen me fushat e funksionimit të MAP-it dhe të politikave qeveritare. Konsideroj se kam arritur me sukses t’i shtyj shumë procese për para, por edhe të diktojë që projektet për të cilat ka qenë përgjegjëse MAP-i të realizohen me kohë. Për të gjitha këto punë dhe detyra të punës, me të cilat jam i ngarkuar vazhdimisht raportoj te Ministri, por edhe te Qeveria”, ka theksuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.