Zeqiri: Qytetarët s’kanë interesim për largimin e kryetarëve të veriut

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, shprehet i bindur se peticioni për largimin e kryetarëve të komunave veriore s’do të ketë sukses.

Kështu deklaroi ai në një prononcim të shkurtër për Klankosova.tv.

“Nuk besoj që do të ketë sukses. Sipas informacioneve që kam, qytetarët nuk janë të interesuar për largimin e kryetarëve”, tha Zeqiri .

Zeqiri i cili vie nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk tregoi nëse do të jetë sërish kandidat për kryetar, në rast se votohet pro largimit të kryetarëve.

“Partia Demokratike e Kosovës, do të jetë në garë në të gjitha nivelet, edhe ato komunale në veri”, tha ai.

Klankosova.tv ka provuar të kontaktojë edhe me tre kryetarët e tjerë të komunave veriore, por deri në momentin e publikimit të lajmit, Erden Atiq (Mitrovica e Veriut), Lulzim Hetemi (Leposaviq) dhe Ilir Peci (Zveçan), nuk janë përgjigjur.

Pak javë më parë me tetë vota për dhe dy abstenime, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.

Rekomandimi vjen nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.

Sipas Sekretariatit, në këto katër komuna është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm të votuesve, në mënyrë që të votohet për largimin e udhëheqësve komunalë.

Udhëzimi administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Go to TOP