Kosova

Zeqa: Mos shkuarja e FSK –së në Veri është realitet i hidhur

Analisti Florim Zeqa ka thënë për Kosva.info se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel, që në Veri të vendit të mos shkojë FSK –ja pa pëlqimin e KFOR –it, nuk është sekret, por është një realitet i hidhur.

Ja komenti i plotë Florim Zeqës:

Fillimisht duhet sqaruar se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel, që FSK të mos shkojë në Veri pa marrë leje nga KFOR-i nuk është sekret, por realitet i hidhur për Kosovën. Prandaj, këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj zbulimi të sekretit, por të dokumentit që ekziston prej kohësh në sirtarët e KFOR-it dhe të qeverisë së Kosovës.

Publikimi i marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel që e ndalon shkuarjen e FSK-së në Veri pa lejen e KFOR-it, mbase edhe mund të merret shkas për inicimin e mocionit për shkarkimin e presidentit Thaçi, por nuk është argument i mjaftueshëm, kur dihet roli i KFOR-it dhe kompetencat e FSK-së në kohën kur është nënshkruar marrëveshja e tillë në Bruksel.

Për t’i vërtetuar gjërat akoma më tepër dhe më qartë, Albin Kurti duhet të shikoj marrëveshjen më të re mes NATO-së dhe FSK-së me rastin e fillimit të procesit (10 vjeçar) të transformimit të FSK-së në ushtri, në dhjetorin e vitit 2018, e cila përcakton qartë kompetencat e FSK-së, e tek pastaj të flet për zbulim “sekretesh”.

Kosova edhe pse shtet i shpallur, si i pavarur dhe sovran, që 21 vjet nuk e ushtron sovranitetin e plotë në veri të vendit shkaku i Rezolutës 1244 dhe rolit të KFOR-it si garantues i vetëm i paqes dhe sovranitetit të Kosovës sipas rezolutës në fjalë. Publikimi nga ana e kryeministrit Kurti e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel që FSK të mos shkojë në Veri pa marrë leje nga KFOR-i, është vetëm fillimi i ballafaqimit të Kurtit me realitetin e krijuar në Kosovë pas 17 shkurtit 2008, përkatësisht pas fillimit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, ku janë nënshkruar një mori marrëveshjesh akoma më të dëmshme për shtetin sesa marrëveshja për mos shtrirjen e FSK-së në Veri.

Siç dihet, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e cila i ka identifikua hiq më pak se 33 shkelje të neneve të kushtetutës me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve politikë të Brukselit nga ana e liderëve tonë shtetëror,…prandaj e gjithë kjo “odiseadë” shkeljesh kushtetuese nuk guxon të mbetët pa u ndëshkuar, në mos nga drejtësia e kapur, gjithsesi duhet të ndëshkohet dhe dënohet nga qytetarët e vendit.

Edhe pse janë më shumë se një marrëveshje në Bruksel që e ngarkojnë me përgjegjësi Hashim Thaçin, megjithatë, paraprakisht çdo nisme për shkarkimin e tij, duhet drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së me kërkesën për anulimin e Rezolutës 1244 e cila e njeh sovranitetin e Serbisë mbi territorin e Kosovës.

Nuk është koha të merremi me njëri-tjetrin, as ta luajmë lojën e “patriotit” e “tradhtarit”, por të ballafaqohemi me realitetin e krijuar në shtetin “në inkubator” apo protektorat ndërkombëtar tani e 21 vjet më parë, si dhe 12 vjet të shtetit të njohur ndërkombëtarisht, që mbahet në izolim të hekurt nga bota e lirë dhe demokratike.

Të mos provohet tani pas gjithë këtyre viteve të zbulohet “uji i nxehtë”, por të provohet të ndryshohet realiteti i krijuar në shtetin me sovranitet të dyfishtë.

Mos shtrirja e FSK-së në Veri i dëshmon shqetësimet e mia, por jo edhe argumentet e Kurtit për shkarkimin e Hashim Thaçit nga posti i presidentit.