Kosova

Zeqa: Haradinaj të mbroj buxhetin e shtetit

Njohësi i çështjeve politike, Florim Zeqa, në një prononcim për Koosva.info, ka thënë se, Kushtetuta e Kosovës është hartuar sipas rekomandimeve të ndërkombëtarëve dhe e mbështetur në “Pakon e Ahtisarit”, me mungesa të shumta ligjore dhe paqartësi juridike, që është bërë pengesë serioze për zhvillimin e proceseve demokratike në vend.

Ai tha se mungesa e shumë akteve juridike dhe mos përcaktimi i qartë i afateve kohore për krijimin e institucioneve shtetërore, ka bërë që të bëhen interpretime të gabuara dhe të pabazuara nga ana e subjekteve politike.

Sipas tij, stërzgjatja e formimit të qeverisë pas konstituivit të Kuvendit dhe mos mbajtja e asnjë seance të Kuvendit nga seanca inauguruese e legjislaturës së shtatë të Kuvendit do të dëmtojë rëndë buxhetin e shtetit të Kosovës me fillimin e marrjes së pagesave nga deputetët e legjislaturës së shtatë.

“Kuvendi në “Stand By” dhe krejtësisht jo funksional, pa formimin e qeverisë, do të jetë institucion i barasvlershëm me legjislaturën e gjashtë, pra vetëm institucion konsumues për buxhetin e shtetit, pa asnjë efekt juridik dhe politik për vendin. Pra, deputetët e rinj, me ose pa dëshirën e tyre, nga seanca inauguruese e Kuvendit, pa e bërë asnjë orë punë në shërbim të qytetarëve, me marrjen e pagave do të bëhen dëmtuesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit dhe zyrtarët më parazit në Republikën e Kosovës”, tha Zeqa për Kosova.info.

Vetëm në Kosovë ndodhë që paguhen më së shtrenjti ata që nuk bëjnë asgjë. Kryeministri në largim Ramush Haradinaj duhet të marrë masa ndaj deputetëve parazit dhe mbrojtjen e buxhetit të shtetit deri në formimin e qeverisë së re, ndërsa ata që punojnë për të mirë të qytetarëve dhe të shtetit paguhen pak apo fare lirë

“Meqenëse mandati i qeverisë në largim është duke përfunduar, dhe se fundi i muajit mars shënon edhe afatin e fundit për miratimin e buxhetit për vitin 2020, deputetët e rinj duhet të jenë një krye të detyrës, si të zgjedhur të popullit, e jo përfaqësues të partive politike në Kuvend. Deklarimi publik i deputetëve të legjislaturës së shtatë, për mos marrje të pagave nga buxheti i shtetit deri në formimin e qeverisë së re, përkatësisht të funksionalizimit të punës së Kuvendit dhe Qeverisë, do të krijonte një standard të ri moral në vendin tonë, e pse jo edhe kushtetues në të ardhmen e afërt, i cili do të ndikonte pozitivisht në angazhimin serioz të deputetëve për krijimin e qeverisë konformë vullnetit të popullit, e jo sipas pazareve politike të liderëve partiak dhe grupeve tjera të interesit”, tha Florim Zeqa për Kosova.info.

Bekim D. Olluri

Leave a Reply

Your email address will not be published.