SPORT

Zeneli paralajmëron kthimin në futboll, pas lëndimit

Shtatë muaj pasi e kishte pësuar lëndimin serioz në ndeshjen e Kosovës kundër Malit të Zi, Arbër Zeneli e ka paralajmëruar kthimin e tij në futboll përmes një fotografie të postuar në llogarinë zyrtare në Instagram.

Ylli i Kombëtares së Kosovës, Arbër Zeneli, nuk ishte në dispozicion të trajnerit Bernard Challandes në shtatë ndeshjet e fundit të “Dardanëve”, shkaku i lëndimit që e kishte pësuar më 7 qershor, në ndeshjet e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020 kundër Malit të Zi.

Sulmuesi anësor kosovar, i cili është ende në proces rikuperimi nga ai lëndim, ka lënë të kuptohet në Instagram se ai është afër kthimit në futboll, duke e postuar një fotografi të tij duke luajtur për Stade de Reims dhe duke e shoqëruar atë me një orë.

Kthimi i Zenelit është një lajm i mirë për Kosovën, pasi që ai pritet të jetë i gatshëm për të luajtur në ndeshjet vendimtare të marsit, kur do të luhet ndeshjet e play-offs kualifikues për EURO 2020. Kosova do të takohet me Maqedoninë në gjysmëfinale, ndërsa në finale e pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia.

Zenelit është njëri ndër personat më meritor për kualifikimin e Kosovës në këta play-offs, që janë mundësi e dytë për kualifikim në Evropian, pasi që Kosova s’arriti të kualifikohet përmes grupit A.

Në ndeshjen vendimtare për vendin në play-offs nga Grupi 3 i Ligës D të Ligës së Kombeve, Zeneli kishte shënuar het-trik për t’i ndihmuar Kosovës ta mposhtë Azerbajxhanin me rezultat 4:0 në “Fadil Vokrri”.

Shkaku i fitores së Kosovës në atë përballje me Azerbajxhanin, skuadra e Bernard Challandes u kualifikua në play-offs të EURO 2020 si njëra ndër katër fitueset e grupeve të Ligës D, si dhe e fitoi promovimin në Ligën C për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.