Kombëtare

Zemaj: Shqetësuese rritja e numrit të rasteve me Covid-19 në Podujevë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, kanë marrë pjesë në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent të Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19, ku është shqyrtuar gjendja aktuale me pandeminë dhe zbatimin e vendimit të fundit të Qeverisë për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.

Në takimin e Shtabit Emergjent nënkryetari Rudari tha se edhe pavarësisht masave të fundit nga Qeveria e Kosovës për kufizim të lëvizjes dhe veprimtarive, në Komunën e Podujevës ka përkeqësim të gjendjes epidemiologjike dhe rritje të numrit të prekurve me COVID-19.

Nënkryetari Rudari tha se organet kompetente, si policia, inspektorati dhe institucionet shëndetësore po bëjnë gjithçka në mënyrë që të respektohen masat anti-Covid, por pavarësisht kësaj gjatë muajit nëntor, e veçmas javët e fundit ka rritje të madhe të numri të rasteve.

Nënkryetari Rudari potencoi rrezikun e përhapjes edhe më të madhe të këtij virusi gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale, kërkoi  që të shmangen tubimet me më shumë persona sesa lejohet me udhëzimet dhe masat e fundit të Qeverisë si dhe duke respektuar masat mbrojtëse, sepse, siç tha ai, jeta e njeriut është me e rëndësishme sesa gjithçka tjetër.

Në takim u tha se deri tani në Komunën e Podujevës, që nga fillimi i pandemisë 1,376 janë infektuar me coronavirus, ndërsa 439 raste janë aktive, kurse 30 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e këtij virusi. Aktualisht në Komunën e Podujevës janë rreth 3 mijë persona në vetizolim.

Ministri Zemaj ka përgëzoi Shtabin Emergjent për punën e deritashme në zbatimin e masave kundër coronavirusit.

Ministri Zemaj tha se të dhënat e fundit lidhur me situatën epidemiologjike në Podujevë janë shqetësuese, duke potencuar se vetëm javën e fundit janë infektuar 264 persona.

Ministri Zemaj apeloi që të gjithë kandidatët që këtë javë janë në fushatë për zgjedhjet e 29 nëntorit, të respektojnë vendimet e Qeverisë dhe ato të Ministrisë së Shëndetësisë.

Me këtë rast ministri Zemaj ka falënderuar personelin shëndetësor për angazhimin në këtë gjendje pandemie. “Zotohem  se deri në përfundim të Spitalit, qytetarëve të Llapit nuk do t’ju mungojnë shërbimet e nevojshme shëndetësore”, tha ministri Zemaj, duke treguar se QKMF do të ndihmohet me pajisje mjekësore. /Kosova.info/