Kosova

Zeka i quan gënjeshtra deklaratat e Fisnik Ismailit rreth fotografisë së shkrepur gjatë Betejës së Koshares

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, i është kundërpërgjigjur deputetit të Partisë Socialdemokrate, Fisnik Ismailit, lidhur me akuzat se Zeka e ka fotografuar atë pa dëshirën e tij derisa po zhvillohej Beteja e Koshares.

Zeka për Telegrafin i quajti gënjeshtra deklaratat e Fisnik Ismailit.

“Krejt çka ka fol është rrenë. Fotografia është bërë në derën dalëse të një shtëpie. Brenda ka qenë kuzhina, ka qenë një dhomë e Fisnikut dhe një për gazetar. Shumë është lavdëruar Fisniku me atë fotografi para shqiptarëve në Londër”, deklaroi Zeka.

Mes tjerash Zeka tha, se ai vetëm ka bërë punën e tij.

Zeka citoi një thënie të shkrimtarit italian Eco, sipas të cilit ”Facebook i ka dhënë mundësinë edhe idiotit me u bë ‘intelektual’.

Në fund, deputeti Zeka tha ‘Edhe Fisniku është bërë me folë për luftë dhe me i fye ushtarët e UÇK-së, e me fye veprimtarë të Lëvizjes Kombëtarë”, përfundoi ai.

Kurse, deputeti Fisnik Ismaili në RTV Dukagjini, ka deklaruar se fotografia që i kishte bërë Milaim Zeka e ka rrezikuar atë dhe familjen e tij.

“Jam fotografuar pa dëshirën time, pasi askush nuk është lejuar të futet në dhomën ku kam operuar pasi ishte punë konfidenciale. Milaim Zeka ka ardhur aty me një direktivë nga lartë. Atij i kanë lejuar të bëj çka të dëshiron”, ka thënë ai.
Ismaili ka thënë se fotografimi nga ana e Zekës nuk ka qenë aspak pozitiv.