Kosova

Zejnullahu tha se u kërcënua nga burri i presidentes, reagon Kica-Xhelili: Këta persona po vazhdojnë të shpifin

Deputetja e LVV-së, nga lista GUXO, Doarsa Kica-Xhelili, i është kundërpërgjigjur deputetes së PDK-së Floretë Zejnullahu, e cila tha në Kuvendin e Kosovës se burri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu e ka kërcënuar. Për këtë, Zejnullahu ka paralajmëruar edhe padi ndaj burrit të presidentes.

Por, deklaratën e Zejnullahut, e ka quajtur shpifje Kica-Xhelili.

“Është e jashtëzakonshme mënyra sesi shpifja është krijuar në një diskurs standard këto ditë, kur knaqshmëria me presidenten e vendit ka shkuar në ngritjen më të lartë ndonjëherë në historinë e Republikës së Kosovës, prej 63%. Ne kemi këtu persona që nuk janë në gjendje ta pranojnë këtë fakt, për më tepër dalin e flasin për gjëra absolutisht të pavërteta, e harrojnë faktin që në historitë e mëparshme të presidentëve të mëparmë, kanë shkuar aq largë sa të paguajnë 6 mijë euro për një biletë të vetme në klasë biznesi, për zonjën e parë të Republikës së Kosovës, por këto janë harruar”, tha Kica-Xhelili.

“Tash përmendin shpifje si ajo, që z.Sadriu po e kryen rolin e ambasadorit, ai nuk është emëruar ambasador”, u shpreh ajo ndër të tjera.

Deputetja e LVV-së, tha se disa persona nuk po e kuptojnë se është ligji që e mbron çdo individ të Republikës së Kosovës nga shpifja dhe fyerja.

“Këta persona nuk po merren me substancën e paralajmërimeve për padi dhe shpifje, nuk po e kuptojnë faktin se është ligji që e mbron cdo individ të Republikës së Kosovës nga shpifja dhe fyerja, këta po vazhdojnë e po shpifin dhe këtë e pam edhe sot kjo është e cuditshme, që anëtarë të një partie politike, nga të cilët ka ardhur një president i mëparmë, i cili ka dhënë 6 mijë euro për biletë për zonjën e parë, sot më flasin për një rol që po e kryen zotëriu i parë sipas ligjeve. Kjo nuk duhet të pranohet”, u shpreh ajo.