Kosova

“Zeit” për situatën politike në Kosovë: Pa udhëheqje përmes krizës

Parlamenti i Kosovës rrëzon kryeministrin Albin Kurti. Forcat politike që qëndrojnë prapa këtij rrëzimi të qeverisë mund të destabilizojnë rajonin.

Qeveria e parë evropiane që ra në kohën e koronavirusit është ajo e Kosovës. Kriza politike në Prishtinë filloi me çështjet se a është kufizimi i lëvizjes masa e duhur kundër përhapjes së virusit Korona apo do të duhej shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Por befas shpërtheu nga të gjitha anët, përplasjet që e gërryejnë kaherë Kosovën: e majta kundër të djathtës, luftuesit e korrupsionit kundër klikave të vjetra, kryeministri i ri kundër presidentit që gjatë kohë rri i kacavarur për pushteti. Në fund parlamenti rrëzoi kryeministrin e ri Albin Kurti, kurse Kosova është tani pa një qeveri legjitime mu në mes të krizës së koronës, shkruan “Zeit”, transmeton KOHA.

E tërë kjo natyrisht se mund të kuptohej edhe si një farsë që ndodh në Evropën Jugore, si një luftë e brendshme pushteti në një nga shtetet e Ballkanit me rreth 1.8 milionë banorë. Por është shumë më tepër se kaq. Kryeministri Kurti ka mbështetjen e Bashkimit Evropian, ndërsa presidenti Hashim Thaçi ka atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për pushtet, se kush ka kontrollin mbi Evropën Jugore në sferën e gjeopolitikës në një rajon të dërrmuar nga krizat dhe luftërat.

Figurë qendrore e këtyre mosmarrëveshjeve është ambasadori i ShBA-së në Berlin dhe drejtori i shërbimeve sekrete të SHBA-së, Richard Grenell. Njeriu i përdorur për shumë raste, në vitin 2019 u bë edhe i dërguari i posaçëm i Donald Trumpit për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Qysh atëherë Grenelli është në kërkim të një suksesi në politikën e jashtme për presidentin e tij. Ky sukses, pas dështimit që pati me kacafytjet me Korenë e Veriut dhe me Iranin, i duhet atij urgjentisht.

Grenell synon një përafrim të qeverive të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat janë në konflikt qysh se Kosova u shkëput nga Serbia para njëzet vjetësh. Serbia në mënyrë sistematike po bllokon aderimin e Kosovës nëpër organizatat ndërkombëtare. BE-ja është duke ndërmjetësuar pa sukses tash e shumë vjet. Grenelli synonte që të arrijë një zgjidhje të shpejtë, duke përdorur mjetet e parapëlqyera të Trumpit, presion të madh dhe kërcënime të bëra hapur.

Kosova duhej t’i hiqte tarifat kundër mallrave serbe për t’i hapur rrugë një marrëveshjeje me Beogradin. Këtë nuk e pranoi kryeministri Kurti, i cili nuk deshi të hiqte dorë nga tarifat që paraqesin një monedhë negocimi. Grenell prandaj takoi presidentin e Kosovës Thaçi, me atë të Serbisë, Vuçiq. Thaçi ishte udhëheqës milicie dhe nga shumë akuzohet për korrupsion. Grenelli dëshironte që me ndihmën e tij të anashkalonte kryeministrin Kurti.

Supozohet që Grenelli dhe Thaçi duan të organizojnë një këmbim territoresh me Serbinë. Bëhet fjalë për zona banimi me shqiptarë në Serbi dhe zona banimi me serbë në Kosovë. Amerikanët e demantojnë ekzistencën e këtyre planeve. Por thuhet që Thaçi ka biseduar për këtë më herët me përfaqësues serbë.

Një këmbim territoresh është e pamendueshme për Albin Kurtin dhe BE-në. Kjo do kthente përmbys politikën e BE-së dhe linjën e Qeverisë gjermane. Brukseli dhe Berlini mbështesin kufij të lirë dhe mbrojtje të fuqishme të pakicave, dhe jo mbyllje në kala të pastra etnike. Ata frikësohen që ky princip në fund do të destabilizonte edhe Bosnjën dhe pjesë tjera të Evropës Jugore. Këmbimi i territoreve ishte një mjet i pëlqyer në fillim të shekullit të 20, që shkaktoi eksode të shumë miliona njerëzve.

BE-ja ka emëruar tani një konkurrent të Grenellit, Raportuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçek. Ai ishte ministër i punëve të jashtme të Sllovakisë dhe nënsekretar i Përgjithshëm në OKB. Kjo mund të ishte për të puna më e vështirë deri tani. Ngaqë amerikanët janë shumë të vendosur të prodhojnë një dokument serbo-kosovar, çfarëdo qoftë ai, për t’u vënë në galerinë e trofeve të Trumpit. Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë i ka bërë thirrje Parlamentit atje që të rrëzojnë Kurtin, duke u përzier kështu hapur në punët e brendshme të vendit. Në këtë mënyrë, Richard Grenell e shikon të dobësuar kundërshtarin më të rëndësishëm të planeve të tij.

Grenelli nuk shqetësohet fare që Kosova, në mesin e një krize të koronavirusit, ka mbetur pa një qeveri legjitime. Zgjedhje të reja në këtë gjendje nuk mund të ketë. Shteti duhet që të kalojë përmes kësaj krize me politikanë konfliktuozë dhe pa një lidership të qartë. Dhe në rast se punët shkojnë për ters, natyrisht se kjo do bëhet problem i BE-së.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.