Rajoni

Zëdhënësi tregon se kur do ta marrë Erdogani vaksinën kundër Covid-19

Një zëdhënës i partisë në pushtet në Turqi ka thënë se presidenti i këtij vendi, Rexhep Erdogan, do ta marrë vaksinën kundër koronavirusit drejtpërdrejt në televizion më vonë të enjten.

Sipas këtij zëdhënësi, vaksinimi i presidentit turk do të transmetohet drejtpërdrejt në televizion me qëllim të largimit të dyshimeve të publikut rreth efikasitetit të vaksinës, shkruan Reuters.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, e mori i pari këtë vaksinë dhe procesi u transmetua drejtpërdrejt në televizion. Turqia e miratoi këtë vaksinë të mërkurën, pavarësisht të dhënave kundërthënëse rreth shkallës së efikasitetit.

Hulumtimet preliminare me mbi 7.000 vullnetarë në Turqi treguan se vaksina CoronaVac është 91.25 për qind efektive. Sidoqoftë, një studim më i gjerë në Brazil nxori një shifër tjetër për efikasitetin e saj – vetëm 50.4 për qind.

Në Indonezi u raportua se efikasiteti i vaksinës kineze është 65.3 për qind, duke ngritur dyshime rreth transparencës së prodhuesve kinezë.

Të enjten, televizioni turk ishte plot pamje të punëtorëve shëndetësorë duke i marrë dozat e para të vaksinës, ndërsa zyrtarët u munduan që ta bindin publikun për ta bërë të njëjtën gjë.

Pas vaksinimit të 1.1 milion punëtorëve shëndetësorë, në proces do të përfshihen personat mbi moshën 65-vjeçare dhe punëtorët e sektorëve thelbësorë.