OPINION

Zallahia dhe papërgjegjësia e politikës

Në një kohë tejet të vështirë mbarëglobale nga pandemia “corona virus”, sot qytetari i Kosovës ka më shumë drojë, dhimbje e pasoja nga politika se sa nga COVID19. Absurditet i llojit te vet. Por, pse? Sepse, qe 20 vjet nocioni “përgjegjësi” për këta politikanë shënjon vetëm një fjalë leksiku. Papërgjegjësia e tyre ndaj qytetarit kaloi kufirin e çdo logjike.

Shkruan: Ali Dula

Me avanturat e politikanëve tanë u step bota, paçka se kancelaritë europiane u lutën ditë e natë që të mos ndodhë ajo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës. Nëse nocionin “përgjegjësi” e kuptojmë si përgjigje të kënaqshme të njeriut në një situatë në të cilën gjendet, dhe një nocion të tillë së paku pjesërisht e përjashtojmë prej formës paradigmatiko- ligjore dhe etike, atëherë me lehtësi do të mund të hyjmë në fushat e ndryshme semantike. Ky është diskursi teorik i shkencëtares së politikës, Hannah Arendt. Por, duhet ta dimë se koncepti i përgjegjësisë rrjedh nga një koncept i nivelit më të lartë, e ai                 është koncepti i detyrës-obligimit. Andaj kush ka marrë detyra, duhet t`i kryejë ato, e kur i kryen pastaj ose ka faj ose ka merita. Koncepti i përgjegjësisë personale, në një mjedis të tillë krahasimi do t`i kundërvihet konceptit të përgjegjësisë politike, veçanërisht prej vargut të pafajësisë kolektive e deri te faji kolektiv.

Përgjegjësia personale faktikisht këtu është e bazuar në fuqinë e gjykimit. Gjykimi problematik,  siç e quan Arendt, ndodh atëherë kur fuqia e tij nuk është në rregullat e përgjithshme të miratuara të sjelljes. Njeriu si ekzistencë, atëherë në mënyrë të pashmangshme i afrohet një shqyrtimi të veçantë të origjinalitetit të tij. Se sa, përgjegjësia personale paraqet çelësin e kuptimit fiolozofik të ekzistencës, sidomos duke pasur parasysh kushtet e sotme të vështira në të cilat nuk është e lehtë për të njohur shenjat e reja të rritjes së sjelljes totalitare të disa politikanëve që ngarendin për bajraktarizmin primitiv politik. Veprimet e tyre taktike e bizare duke tentuar të marrin kontrollin në të gjitha aspektet e jetës, e të cilët nën ndikimin e terrorit dhe propagandës na kanë shkërdhyer rrafsh 20 vjet.

Individë që ende nuk e kanë mësuar logjikën dhe strukturën e shtetit, ata që njohin vetëm pushtetin e jo shoqërinë qytetare – pra qytetarët i shohin vetëm si masë të atomizuar individësh. Po a kaq merituakemi ne? Sigurisht se pushteti i tyre buroi nga ne, me hatër a pa hatër me bindje apo mashtrim, legjitimiteti prapë derivoi nga qytetari. Por, ama pasoi deliri i pushtetit. Kjo shastisje e pushtetit u abuzua skajshmërisht papërgjegjshëm derisa qytetarin e mbështetën për muri. E përtej murit nuk ka më ku, siç do t`thoshim. Rinia, pjesa më vitale e vendit që u lëndua e po lëngon akoma, nuk e duroi dhe nuk do të durojë më. Ky zgjim i koshiencës qytetare duhet t`i zgjojë edhe të gjitha partitë politike, se nuk ka më besim me papërgjegjesi dhe nuk ka më kontrabandë votash. Kthim në atmosfera e huti parafushatore qytetari nuk i kapërdin më. Në kohën kur rrezikohet ekzistenca jonë biologjike nga pandemia, në kuvend shkalloi egoja politike deri në masën e idiotizmit. Kosovën e bën gaz e sui generis

për krejt botën. Hipokrizi e tradhëti e kulluar. Hipokrizia në vepër, që siç e shpjegon Muhamedi a.s: te ai i cili gjenden katër cilësi, ai është hipokrit i përkryer; kur të flet gënjen, kur premton e thyen premtimin, mbron keqbërësin, dhe kur t’i besohet tradhton" Militantizmi politik i disa mediave me propaganda të parreshtura u sforcua edhe më shumë me ‘‘analistë’’ që zënë hapësirë mediale duke folë nga politika e deri te ngrohja globale. Këta jo që kanë ndonjë ndikim, por që ta fyejnë inteligjencën e brutalizojnë ndjenjat, po. Shpesh në raste të caktuara pyesim se pse nuk i shohim ekspertët apo njerëz që njihen të formuar që të flasin për raste ku shkelqyeshëm mund të flasin? E dini pse, sepse shtëpitë mediale janë bërë konaqe e çerdhe të dostave mes veti, sharlatanëve e halabakëve, të cilët e kanë kontaminuar e degraduar skajshmërisht komunikimin politik e publik. Në krejt këtë zallahi politike, tani e tutje qytetarët si asnjëherë më parë duhet t`i prijë vetëdija politike e kujdesi për vlerësim, e pastaj nuk ka me pas më “zgjedhje”, por vetëm “zgjidhje”.