Rajoni

Zaev: Biseda me komikët rusë është çështje private, nuk është akt i Rusisë

Kyeministri Zoran Zaev ka biseduar me ambasadorin rus në vend Sergei Bazdnikin, ndërsa pas disa aktiviteteve sot do të ketë edhe takim me të. Por ai tha se takimi me ambasadorin rus është caktuar para dhjetë ditëve dhe nuk ka të bëjë me bisedat e tij telefonike me komikët rusë, të cilët iu prezantuan si Petro Poroshenko dhe Jens Stoltenberg.

“Ne kemi komunikim të rregullt me të gjithë ambasadorët. Ky takim është caktuar para dhjetë ditëve. Mendoj se këto komikë ose personalitete të rrejshme paraqesin punë private, e nuk janë akt i Federatës Ruse”.

“Bashkëpunimi me Rusinë është një nga qëllimet tona, forcimi i bashkëpunimit në plan ekonomik dhe çdo plan tjetër”, tha Zaev duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka biseduar me Bazdnikin për bisedat telefonike me komikët rusë, të cilëve u kishte thënë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, është nën ndikimin e Rusisë.

Zaev tha se angazhohet për miqësi dhe përparim të bashkëpunimit rajonal dhe se këtë e ka konfirmuar në bisedat me komikët rusë.

Ai tha se gjithashtu angazhohet për zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, sipas shembullit të Marrëveshjes së Prespës dhe se dëshiron prosperitet të shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.

Zaev shtoi se në opinion është e njohur se Rusia nuk dëshiron që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e NATO-s, por sipas tij, jo për shkak të shtetit tonë, por për shkak se ata janë kundër zgjerimit të Aleancës.