SPORT

Ylli i Shqipërisë në pritje të ndriçimit në Kosovë

Bujë të madhe bëri transferimi i mbrojtësit nga Shqipëria, Ylli Shametit, te skuadra e Gjilanit. Transferimi i 35-vjeçarit nga Gjirokastra ishte realizuar vetëm pak orë para se të mbyllej afati kalimtar i verës së vitit të kaluar për edicionin 2019/2020.

Në prezantimin e mbrojtësit me përvojë, Gjilani ia kishte radhitur sukseset e arritura të tij në kampionatin e Shqipërisë. Por, edhe pse kanë kaluar gati një vit që nga transferimi, Ylli i Shqipërisë ende nuk ka ndriçuar në Kosovë.

Shameti, që thuhet se është futbollisti më i paguar te Gjilani dhe ndër më të paguarit në Kosovë, ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare me fanellën e klubit gjilanas, shkruan KOHA.

Ai vlerëson se fati nuk ishte me të, pasi që nga ardhja e tij në Kosovë ka pësuar dy lëndime që e mbajtën gjatë jashtë fushës së futbollit. Herën e parë, Shameti ishte lënduar gjatë përgatitjeve në verë pas katër seancave stërvitore me Gjilanin, në ndeshjen miqësore ndaj Vitisë – një javë para se ta luante ndeshjen çerekfinale të Kupës kundër Drenicës.

Ai u detyrua t’i nënshtrohet operimit të gjurit që e mbajti jashtë fushës për gjashtë muaj. U kthye në përgatitjet dimërore që i zhvilloi Gjilani në Antalia të Turqisë, ku luajti vetëm tri ndeshje miqësore dhe në janar të këtij viti, u lëndua sërish, në miqësore. Shameti pranon se asnjëherë nuk është përballur me një situatë si kjo te Gjilani.

“Asnjëherë në karrierë nuk kam pasur një fat të tillë. Në shumicën e rasteve kam mbajtur shiritin e kapitenit në klube, e jo më të mos luaja”, ka thënë Shameti që ndodhet ende në Shqipëri dhe pritet t’i bashkohet Gjilanit në përgatitje gjatë javës së ardhshme.

Në Kosovë ashtu si edhe në Shqipëri, dhe shumicën e vendeve të botës shkaku i pandemisë së koronavirusit aktivitetet sportive u pezulluan gjatë muajit mars. Por, Ministria e Shëndetësisë (MSH) u ka dhënë leje klubeve kosovare t’i vazhdojnë stërvitjet duke iu përmbajtur masave për ruajtjen e shëndetit dhe infektimit me koronavirus. Kampionati është caktuar të vazhdojë më 7 qershor, derisa Shameti me Gjilanin janë në garë për titull të kampionit. Shameti thotë se ndihet mirë dhe se formën fizike është munduar ta ruajë duke u stërvitur në mënyrë individuale.

Ai drejt vendlindjes ishte larguar ditën e fundit para mbylljes së kufijve.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.