SPORT

Ylli i Prishtinës shndrit te Feronikeli

Me gol nga distanca nga një goditje dënimi, Yll Hoxha ia ka siguruar Feronikelit fitoren 1:0 ndaj Prishtinës, të dielën. Me atë fitore, skuadra nga Drenasi ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në futboll.

Por me titull të kampionit, për Feronikelin dhe Yll Hoxhën sfidat e vërteta janë vetëm në nismë. Menjëherë të premten skuadra nga Drenasi synon të fitojë Kupën e Kosovës në futboll e më pas do të përgatitet për paraqitjen e parë në kupa evropiane. Në kupa evropiane e synon historinë – të bëjë hap tutje nga ajo që skuadrat kosovare kanë bërë në edicionet e kaluara.

Hoxha 31-vjeçar luan si sulmues krahu, ndërsa si futbollist është zhvilluar te Prishtina. Pikërisht Prishtinës ia shoi gjasat për titull të dielën, duke siguruar festën e madhe për tifozët në Drenas.

“Kam shumë respekt për Prishtinën, skuadër tek e cila jam rritur dhe kam kaluar ndoshta vitet më të mira në karrierë. Më vjen keq për Prishtinën, por më vjen mirë për skuadrën time dhe për tifozët”, ishte deklarata e Hoxhës pas ndeshjes.

Futbollisti prishtinas ka luajtur pos te Prishtina edhe te TPS në Finlandë, te Hysi i dikurshëm, te Kukësi, Flamurtari i Vlorës e Vllaznia e Shkodrës në Shqipëri dhe prej vitit 2017 është te Feronikeli.