OPINION

Ylli i futbollit bashkëkohor të Kosovës, Fadil Vokrri u bë rituali i fluiditetit dhe elegancës

Shkruan: Skënder MULLIQI

Është detyrë e jona njerëzore, humane e patriotike që të shkruajmë dhe t’i përkujtojmë njerëzit meritor të kombit, njerëzit që kanë sakrifikuar për shtetin dhe kombin e vet. Aq me vështirë është kur ndodhin vdekje te pa pritura ,siç na tronditi të gjithëve vdekja në moshë relativisht të re, të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit.

Shumë e kam adhuruar këtë futbollist ndër më cilësoret në historinë e futbollit shqiptarë. Ishte një futbollist i cili i kënaqsi futbolldashësit më driblingjet e bukura , më golat e shënuara të cilat nuk do të harrohen kurrë.

Ishin këto kohet e arta të futbollit të Kosovës, edhe pse në kushte të okupimit nga serbosllavët. Për Fadil Vokrrin ka njeriu çka të shkruan , së doli nga gjiri i popullit një yll i cili nuk shuhet kurrë. La pas veti ndeshje të paharruara , la kujtime të bukura për të gjithë ata të cilët e njohën për afër, la mbresa të pashlyera të një futbollisti cilësor, dhe të një njeriu i cili tërë jetën ja kushtoi afirmimit të futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Vokrri na la amanete dhe porosi së si duhet dashur atdheu dhe kombi përmes sportit. Ai dhe shumë sportistë tanë në botë janë bërë shembulli më i mirë së si luftohet për ideale të larta kombëtare .Fadil Vokrri iku nga kjo botë duke lënë lavdinë dhe krenarinë e një sportisti të mirëfilltë, të një njeriu të dashur, të një njeriu i cili bëri shumë për futbollin dhe sportin përgjithësisht. Vokrri ishte dhe mbeti vlerë kombëtare , i paharruar jo vetëm për gjeneratën që i takoj por edhe për brezat që po vijnë.

Ai ka lindur për tu bërë futbollist më nam, ka lindur për të mbetur në histori si sportist dhe njeri shembullor. Fadil Vokrri ka lindur për të mos vdekur kurrë. Fadil Vokrri është shumë i madh në futbollin shqiptarë. Shkalla e përformancës së Vokrrit kishte arritur nivelin e një futbollisti të përmasave evropiane.

Ai shënonte po thuaj në çdo ndeshje që luajti. Për të arritur statusin e mitit, si një lojtar futbolli është shumë e vështirë, sepse kulmi i performancës është përgjithësisht e shkurtër – vetëm pak lojtarë përformojnë në topin e lojës . Në mënyrë të pabesueshme, Vokrri përforcoi në stilin e niveleve të larta për shumë vite duke shënuar edhe shumë gola . Ylli i futbollit bashkëkohor të Kosovës , Fadil Vokrri u bë rituali i fluiditetit dhe elegancës. Në kohën e Vokrrit shqiptarët e konceptonin futbollin si fantazi.