SPORT

Xherdan Shaqiri dhe katër vitet e “perlas” së tij

Po afrohej fundi i ndeshjes dhe Zvicra ishte duke humbur 1:0. Në minutën e 82-të nga krahu i majtë në zonë u dërgua një top nga kapiteni i Zvicrës, Stephen Lichtsteiner.

Topi kaloi lojtarin e parë të Zvicrës, ndërsa kur arriti te i dyti, u largua nga mbrojtësi i Polonisë, që ishte në “shpinë” të lojtarit helvetik.

Në zonë ishte edhe Xherdan Shaqiri, që po përcillte lëvizjen e topit. Derisa topi i dëbuar ishte ende në lëvizje në ajër, Shaqiri bëri dy hapa dhe u shkëput lartë. Në mënyrë akrobatike, me “gërshërë”, realizoi goditje perfektë. Ishte në vijën e 16-metërshit kur goditi mjeshtërisht. Topi bëri rrugë gati perfektë në drejtim të portës. Preku në tokë thuajse në vijë të portës dhe përfundoi në rrjetë, prapa duarve të portierit.

Image

Ylli shqiptar i futbollit siguroi vazhdimet për Zvicrën në atë ndeshje të 25 qershorit të vitit 2016.

Ndeshja e raundit nokaut të “Euro 2016” u vendos me penallti. Për Zvicrën dështoi Granit Xhaka, ndërsa te Polonia realizuan të gjithë. Polonia kaloi në çerekfinale të “Euro 2016”, ku pësoi nga Portugalia, prapë me penallti.

U vlerësua se rrugëtimi i Zvicrës përfundoi shumë herët. Por ai supergol i Shaqirit ka mbetur në kujtesë. Është prej golave të tij më të bukur, por edhe nga më të bukurit në histori të përfaqësueses së Zvicrës.

“A është ky goli më i bukur në histori të përfaqësueses”, ka pyetur të enjten “Blick”, që ka përkujtuar katërvjetorin e golit përrallor të Shaqirit.

Edhe BBC ka përkujtuar kryeveprën e Shaqirit. Golin e tij e ka vlerësuar të mrekullueshëm.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.