Xhaka: Njerëzit duan ta shkatërrojnë Zvicrën por kot e kanë, jemi të fortë

Granit Xhaka iu ka reaguar kritikëve dhe mediave zvicerane pas fitores shpresëdhënëse të Zvicrës 3:1 kundër Turqisë në ndeshjen e fundit grupore në Euro 2020, duke thënë se ata po përpiqen ta rrënojnë ekipin zviceran me, siç i quajti ai, gjëra të vogla dhe të parëndësishme.

Xhaka, i cili është duke e udhëhequr Zvicrën si kapiten në këtë turne, ishte në qendër të kritikave bashkë me Xherdan Shaqirin dhe bashkëlojtarët e tjetër nga tifozët dhe mediat zvicerane pas barazimit me Uellsin në ndeshjen hapëse dhe humbjes ndaj Italisë në ndeshjen e dytë, raporton Gazeta Express.

Mesfushori i Arsenalit u kritika në veçanti për lyerjen e flokëve menjëherë pas barazimit zhgënjyes 1:1 me Uellsin.

Pas humbjes kundër Italisë në ndeshjen pasuese, Xhaka kishte thënë se askush nga bashkëlojtarët e tij nuk e dëshironte topin gjatë ndeshjes dhe kjo bëri që mediat zvicerane të shpërthejnë në kritika ndaj ekipit dhe ndaj tij si kapiten në veçanti.

Por ai iu përgjigj kritikave me një paraqitje të mrekullueshme në fitoren ndaj Turqisë, e cila ia mban gjallë shpresat Zvicrës për t’u kualifikuar në mesin e 16 më të mirëve si njëra nga katër skuadrat e renditura më së miri në vendin e tretë nga gjashtë grupe.

Duke folur pas ndeshjes, Xhaka tha: “Trysnia mbi ne ishte e jashtëzakonshme. E drejtë apo e padrejtë, tani nuk ka rëndësi. Por ne patëm një bisedë të mirë si ekip, veçanërisht dje (e shtune). Ne ishim të hapur ndaj njëri-tjetrit dhe folëm për atë që na bënë të fortë.”

Në lidhje me kritikat, mesfushori nga Podujeva theksoi: “Ne jemi kritikuar shumë për gjëra të vogla të cilat mendoj se nuk janë të rëndësishme. Ju siguroj për një gjë: ky ekip nuk mund të shkatërrohet me gjëra të tilla. Ne nuk mund të kemi ndikim mbi atë që ndodh jashtë (ekipit). Ajo të cilën ne mund ta ndikojmë është karakteri i këtij ekipi. Këtë e dëshmuam sot. Ne e dimë që jemi të fortë kur e kemi topin në këmbë. Të gjithë e kërkuan topin sot. Sot treguam se çfarë mund të bëjmë.”

“Njerëzit po përpiqen ta shkatërrojnë këtë ekip duke folur shumë dhe duke shkruar shumë. Por siç thashë: ky ekip nuk mund të rrënohet nga gjëra të tilla!” shtoi ai.

Shaqiri me dy supergola dhe Haris Seferovic me një, i ndihmuan kombëtares helvetike ta arrijë fitoren e parë në turneun e kësaj vere të dielën në Baku.

Zvicra e mbyll grupin në vendin e tretë me katër pikë dhe goldallim -1, dhe do të shpresojë se katër pikë do t’i mjaftojnë ta sigurojë kualifikimin si njëra prej katër skuadrave të renditura më së miri në pozitën e tretë.

Nga Grupi A, Italia kualifikohet si lidere me nëntë pikë nga tri ndeshje dhe Uellsi nga vendi i dytë. Uellsianët u kualifikuan tutje para zviceranëve falë goldallimit më të mirë.

Turqi largohet nga Euro 2020 qysh në fazën e grupeve pas tri humbjeve në tri ndeshje.

Go to TOP