SPORT

Xavi paralajmëron rikthimin si trajner në “Camp Nou”

Xavi Hernandez, legjenda e Barcelonës, ka zbuluar se me stafin e tij po përgatiten të marrin përsipër drejtimin e ish-klubit të tij në një të ardhme të afërt, kanë njoftuar të hënën mediumet spanjolle. 

Xavi, që aktualisht është trajneri i ekipit nga Katari, Al Sadd, ishte si opsion për te Barcelona në fillim të këtij viti pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, por drejtuesit angazhuan Quique Setienin, pasi u refuzuan nga ish-mesfushori me arsyetimin se nuk është i gatshëm për t’u rikthyer në “Camp Nou” në një rol të tillë.

Legjenda e Barcelonës, Xavi, paralajmëron rikthimin si trajner në “Camp Nou”

Së fundi, presioni është rritur dukshëm te Barcelona, për shkak të rezultateve jo të mira që nga rifillimi i garave në La Liga që nga ky muaj dhe Xavi pranoi se synimi i tij është të rikthehet në “Camp Nou” si trajner për ta ndihmuar ish-ekipin e tij që t’u kthehet sukseseve nëpërmjet një projekti krejtësisht të ri. Aktualisht, Barcelona vështirë se këtë edicion mund ta mbrojë titullin e kampionit në La Liga. 

Renditet në pozitën e dytë në tabelë, me dy pikë më pak se Real Madridi, kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në fund të këtij edicioni, i cili u pezullua në mars për shkak të përhapjes së pandemisë të koronavirusit. Një numër i lojtarëve të irrituar te Barcelona thuhet se janë fjalosur me trajnerin aktual Setien pas barazimit të fundit 2:2 në udhëtim ndaj Celta Vigos. 

Mësohet se lojtarët ishin të pakënaqur me trajnerin Setien që në fund të ndeshjes inkuadroi Antoine Griezmannin e Arthur Melon, duke i kërkuar llogari për barazimin. Xavi është fëmijë i Barcelonës, kurse me ekipin e parë ka zhvilluar në total 767 ndeshje në të gjitha garat dhe ka fituar çdo trofe të mundshëm në nivel klubesh. Ai në vitin 1998 debutoi me ekipin e parë dhe luajti deri në vitin 2015, kur vendosi të largohet. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.