Hi Tech

WhatsApp e përmirëson modin PiP në aplikacionin për Android

WhatsApp, aplikacion ky në pronësi të Facebookut, në maj të vitit të kaluar e prezantoi Picture-In-Picture (PiP) Mode për aplikacionin e vet në iPhone, ndërsa funksionin e zgjeroi edhe në Android në dhjetor. Megjithatë, PiP Mode për Android i ka kufizimet e veta – videoja reprodukohet vetëm në kuadër të chatit. Në azhurnimin e fundit beta për WhatsApp, kjo është përmirësuar, raporton GSMAren.

Me versionin beta 2.19.86 të WhatsAppit për Android, kompania e ka përmirësuar PiP Mode, i cili tani punon ngjashëm me versionin për iPhone. Funksioni i përmirësuar vazhdon të reprodukojë video në një dritare të vogël pas largimit nga biseda, pasi të zvogëlohet aplikacioni ose para se të kalohet në një aplikacion tjetër.

WhatsApp po e teston ende këtë funksion, i cili ende nuk është në dispozicion për përdoruesit mainstream të Androidit. Nëse testet janë të suksesshme, pritet që PiP Mode i përmirësuar së shpejti të vihet në dispozicion për të gjithë përdoruesit.

Aplikacioni i popullarizuar e ka edhe një funksion në këtë version beta, dhe bëhet fjalë për reprodukimin automatik të mesazheve të njëpasnjëshme zanore.