Kosova

VV: Tekstet shkollore po bëhen për klientelë e jo për nxënësit

Lëvizja Vetëvendosje thotë se mbështet profesionistët dhe organizatat e fushës të cilët kanë reaguar dhe informuar mbi gjendjen e rëndë në procesin e hartimin të teksteve të reja shkollore.

Në një konferencë për media që u mbajt sot, u tha se tekstet shkollore janë përdorur nga drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për interesa klienteliste me kompanitë private botuese dhe jo për garantimin e cilësisë së teksteve për nxënësit tanë.

Deputetja e Lëvizjes Arbërie Nagavci shpjegoi, siç tha ajo, jo seriozitetin e procesit të vlerësimit të teksteve.

“Recensentët e konfirmuar për të vlerësuar tekstet e shtëpive botuese konkurrente vijnë nga të njëjtat shtëpi botuese. Madje, nuk kanë pasur as udhëzime për kriteret e vlerësimet dhe përshtatjen me kurrikulën e re. Skandali më i madh ishte mbledhja e tyre jo serioze dhe e nxituar brenda një fundjave për përzgjedhjen e teskteve në një hotel, edhe pse formalisht procesi i vlerësimit duhej të zgjaste 45 ditë. Tekstet e reja kanë gabime përmbajtësore, didaktike dhe teknike. Kanë pasaktësi shkencore, përzierje konceptesh dhe gabime të tjera. Nuk ka tematikë e ushtrime që nxisin ndërthurjen e dijeve të fushave të ndryshme ndërkurrikulare. Ka raste kur recensenti ka rekomanduar që teksti të mos licensohet dhe megjithatë teksti është shpallur fitues. Vetëm në njërin prej teksteve janë numëruar 39 gabime faktike. Recensentëve u është kërkuar të mos i bëjnë publike lëshimet. Vetë Këshilli për tekstet nuk nxori raport përfundimtar për shpalljen e fituesve dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë fazë të procesit të vlerësimit, ndonëse e ka për detyrim ligjor. Përgjegjësia jashtëligjshëm u bart në individë brenda kabinetit të Ministrit. Ministria tashmë e ka pranuar se disa tekste po botohen pa miratimin e Këshillit”, tha ajo.

Deputeti i Lëvizjes Ismajl Kurteshi tregoi natyrën klienteliste të këtij procesi. Për shkak të shkeljeve nga Ministria, shumica e anëtarëve të jashtëm të Këshillit për tekstet shkollore dhanë dorëheqje ose u larguan duke i paraqitur shkeljet edhe publikisht.

“Në konkursin e publikuar mungonin përshkrimi dhe udhëzimet e nevojshme. Formalisht proces i referohej kurrikulës së re dhe standardeve të teksteve shkollore që burojnë nga Ligji aktual për tekstet, por konkretisht nuk ka ndodhur kështu. Konkursi është konceptuar gabim dhe me natyrë klienteliste pa ftuar studiues dhe profesionistë të fushës të konkurojnë me tekstet e tyre. Shtëpive botuese private u është hapur rruga të kontrollojnë çdo pjesë të procesit”, tha ai.

Ai po ashtu theksoi se Ministria ka qenë e interesuar të hapi një tender më shumë se sa një konkurs përmbajtësor. Për interesat e tenderit nuk është finalizuar projektligji në fjalë. Fondi për tekstet e reja mbërrin deri në 10 milionë euro, ku shumica përfitohen nga shtëpia botuese Dukagjini e cila nga 46 dorëshkrime ka fituar 30 prej tyre.

“Siç ka sugjeruar publikisht eksperti Halim Hyseni dhe jo publikisht shumë të tjerë, i gjithë procesi duhet të kthehet në pikën zero. Ministri duhet të japë përgjegjësi ligjore për vonesat, por tani edhe për këtë dështim total të përgatitjes së teksteve të reja. Cilësia e shkollimit të nxënësve tanë, por edhe financat publike po rrezikohen nga një proces i tillë i paligjshëm. Prandaj, do të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për t’u siguruar që Ministri nuk vijon më tej me këtë proces dhe nuk e fut qeverinë në obligime të mëtejshme ligjore e financiare”, tha tutje.

Sipas Vetëvendosjes, Shtëpia botuese “Dukagjini” po përfiton nga MAShT-i

Image

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.