Kosova

VV: S’i kemi hequr vijat e kuqe ndaj PDK-së

Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur qëndrimin e saj se nuk do të bëjë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Albulena Haxhiu nga kjo parti ka thënë se kërkesa për nënshkrim për mocion mosbesimi nuk ka të bëjë me heqjen e vijave të kuqe ndaj PDK-së.

“Aktualisht jemi e vetmja opozitë në Kuvend”, ka thënë ajo teksa e ka quajtur opozitë false PDK-në, duke e akuzuar se po gjen lloj-lloj arsyesh për të mos e nënshkruar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Hoti.

“Kërkesa për nënshkrimin e mocionit nuk ka të bëjë me heqjen e vijave të kuqe për PDK-në. Ne nuk bëjmë koalicion me këtë PDK”, ka thënë tutje ajo në një konferencë për media në njëvjetorin e zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, ku Vetëvendosje kishte dalë e para.

Pas këtyre zgjedhjeve VV-ja kishte bërë koalicion me LDK-në, por qeverisja e tyre ra pas vetëm tre muajsh, me LDK-në që mori pushtetin me AAK-në e Nismën në koalicion. Nga ajo kohë, VV-ja ka kërkuar vazhdimisht rrëzimin e Qeverisë Hoti, por nuk ka arritur t’i grumbullojë ende 40 nënshkrimet e mjaftueshme. Partia tjetër në opozitë, PDK-ja, ka thënë se do të votojë mocionin, por jo edhe që do ta nënshkruajë atë.