Kosova

VV: Nisma, përmes ankesës për votat e diasporës, po do të shpëtojë nga ndëshkimi i qytetarëve

Koalicioni Nisma-AKR-PD i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për 4.639 fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës.

Në ankesën e dërguar në Kushtetuese nga ky koalicion, kërkohet që këto vota të mos llogariten në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

E kjo ankesë për Lëvizjen Vetëvendosje po shihet si e paarsyeshme.

Zyrtari për media nga kjo parti, Arlind Manxhuka, ka thënë për Koha.net se Nisma e kërkon anulimin e votave të mërgatës për t’i shpëtuar ndëshkimit që morën nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai thotë se më herët ata u fshehën nën petkun e patriotizmit kinse duan të mos lejojnë votat nga Serbia.

“Kërkesa e NISMA-s për të anuluar edhe votat e bashkatdhetarëve shpreh qartë të vërtetën e tyre për gjithë këtë proces. Pra ata për shpëtuar nga ndëshkimi që morën nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit duan të ndalojnë votat e mërgatës sonë. Ndërkaq më parë u fshehën edhe nën petkun e patriotizmit kinse duan të mos lejojnë votat nga Serbia”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo që ndodhi sot, ku ata kërkuan edhe nga Kushtetuesja anulimin e votave të mërgatës, shpreh fytyrën e tyre të vërtetë.

“Duan të hyjnë në institucionet e vendit duke ua mohuar bashkatdhetarëve tanë të Republikës të drejtën e votës”, ka thënë tutje Manxhuka.

Ai tutje ka shtuar se janë në pritje të certifikimit të zgjedhjeve në mënyrë që të procedojnë me marrëveshjen për koalicionin.

“Ne jemi në pritje të certifikimit të zgjedhjeve në mënyrë që të procedojmë pa humbur kohë në marrëveshjen për koalicionin. Ata, përpjekja e të cilëve dështoi për të ndaluar ndryshimin, tash po duan të zhagisin certifikimin e zgjedhjeve, madje edhe duke tentuar t’ua hedhin fajin të tjerëve”, ka thënë ai.

Koha.net ka provuar të kontaktojë zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.

Më poshtë mund ta gjeni ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published.