Kombëtare

VV: Ndihmat në Obiliq po i shpërndajnë militantët e AAK-së, komuna e mohon

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq kanë thënë se ndihmat e kësaj komune që janë duke u dhënë pas krizës së shkaktuar nga COVID-19, po i shpërndajnë militantët partiakë të AAK-së.

Kryetari i Qendrës së VV-së në këtë komunë, Halil Thaçi, ka thënë se ky është rast i paprecedentë që ndihmat që janë blerë me buxhetin komunal të shpërndahen nga militantët. “Është e paprecedent dhe e pamoralshme nga ana e qeverisjes lokale në Obiliq, të shpërndahen ndihmat me militantët e AAK-së dhe me automjetet private të militantëve të AAK-së! Këto ndihma që po shpërndahen janë nga buxheti i taksapaguesve dhe jo nga militantë partiakë!”, ka shkruar në rrjetet sociale, Halil Thaçi.

Por, këtë e ka mohuar nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi. Ai i ka thënë KOHË-s se gjithçka është duke u menaxhuar nga Shtabi emergjent që është formuar pas përhapjes së pandemisë COVID-19 edhe në Kosovë.

“Unë po t’i jap informatat nga shtabi. Më datën 24 mars e kemi mbajt një mbledhje emergjente dhe i kemi ndarë 100 mijë euro për menaxhimin e situatës me COVID-19. Prej tyre 60 mijë i kemi kontraktuar 1.200 pako ushqimore në vlerë prej 50 euro, e cila përfshin artikuj ushqimor të domosdoshëm dhe higjienik. Ne jemi duke i shpërndarë qe dy ditë, dje edhe sot. Kemi arritur t’i shpërndajmë 674 pako deri më tash dhe do të vazhdojmë edhe nesër e pasnesër”, ka deklaruar Ibush Mjekiqi. “Komuna e Obiliqit i ka 5 mijë familje, ne do t’i mbështesim 1.200 familje, sipas regjistrit të marrë nga terreni, nga kryetarët e këshillave të fshatrave, nga Qendra për Punë Sociale, nga Bashkësia Islame, Kryqi i Kuq, shoqatat e dala nga lufta, i kemi ba të gjitha listat i kemi analizua dhe i kemi përpunua në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Pra do të ndahen për ato familje që kanë më shumë nevojë”.

Nënkryetari i Obiliqit ka thënë se shpërndarja bëhet prej Shtabit emergjent komunal me punëtorë.

“Janë të angazhuar drejtorët dhe secili drejtor e ka ekipin nëpër fshatra, ndërsa transporti bëhet me automjete të donatorëve, na i kanë ofruar disa kompani…Jo absolutisht nuk qëndron ajo, janë mjete transportuese të kompanive që funksionojnë në Komunën e Obiliqit. Krejt kjo koordinohet nga Shtabi emergjent, është shumë e pavërtetë ajo çka ka shkruar ai, janë të gjithë punëtorë të administratës dhe njerëz lokalë nga vendbanimet që janë përfaqësues të këshillave të fshatrave”, ka theksuar Mjekiqi.

Në Shtabin emergjent ka thënë se janë të përfshira të gjitha institucionet, si drejtoritë komunale, Policia, FSK-ja, BI-ja, etj.

‘Ne përveç këtyre ndihmave kemi shpërndarë ndihma edhe tjera të na i kanë sjellë disa kompani dhe OJQ”.

Komuna e Obiliqit drejtohet nga AAK-ja.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.