EKONOMI

VV: Ligji për rimëkëmbje nuk ndihmon bizneset

Lëvizja Vetëvendosje do ta bëjë ndryshim-plotësimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Partia në pushtet nuk dëshiron të punojë sipas tij, sikurse kishte qenë kundër në dhjetor të vitit të kaluar, kur u miratua në Kuvend.

Deputeti Eman Rrahmani konsideron se ligji aktual nuk i ndihmon bizneseve që kanë nevojë, por atyre që kanë performuar mirë gjatë pandemisë.

Për shkak të numrave në parlament, partia e Rrahmanit mund të mos e ketë problem këtë ndryshim, sikurse qeveria e Avdullah Hotit kur e pati propozuar. Nisma legjislative 600 milionëshe mëtonte rikuperim nga dëmet ekonomike, të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Në të parashihen 200 milionë euro ndihmë bizneseve private, kurse mbi 20 milionë tjera për ata që e kanë humbur punën gjatë kësaj periudhe. Këto para nuk janë ndarë ende.

Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës e cila e pati mundësuar miratimin e tij, thotë se duhet të punohet me ligjin ekzistues, derisa akuzon qeverinë se nuk po interesohet për sektorin privat.

Ndërkaq në Odën e Afarizmit ankohen se mospajtimet politike po shkaktojnë vonesa në ndihmë të bizneseve.

E vetmja pjesë e Ligjit për Rimëkëmbje që u implementua tërësisht deri tash, është tërheqja e 10%shit të kursimeve pensionale në TRUST.