Kosova

VV-ja thërret Hotin në interpelancë për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për interpelancë ndaj kryeministrit Avdullah Hoti për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë. Në një njoftim për media, VV-ja ka kërkuar rivendosjen sa më parë të kësaj mase.

“Reciprociteti është parim ndërkombëtar që bazohet në barazinë midis shteteve. Republika e Kosovës me shpalljen e pavarësisë ka subjektivitet ndërkombëtar dhe dokumentacioni apo çdo formë tjetër ndërveprimi në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të jetë ndryshe përpos se reciproke. Barazia është parakusht, kurse reciprociteti definon shtetësinë e Kosovës në raportet me të tjerët, e sidomos me Serbinë. Është obligim shtetëror e kushtetues, përveçse në interes të shtetit që qytetarët, ndërmarrësit dhe profesionistët të trajtohen barabarësisht e pa paragjykime”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Sipas VV-së, “heqja e masave të reciprocitetit, është heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror, kurse lejimi nga Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime i emërtimeve jo kushtetuese në kohën përkundër se kishte filluar të respektohej emërtimi kushtetues Republika e Kosovës, është zmbrapsje e dëmshme politike dhe tregtare për shtetin e Kosovës”.

Qeveria e re e Kosovës hoqi masën e reciprocitetit të shtunën e 6 qershorit duke shfuqizuar masat e vëna nga Qeveria Kurti.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.