Kosova

VV e LDK në pikën zero, a do të ringjallen bisedimet dhe shanset për koalicion?

Në pikën zero janë kthyer bisedimet për koalicion në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dy ofertat që janë bërë nga partitë janë refuzuar publikisht nga fytyrat kryesore të dy subjekteve. Në rast se pajtohen për t’u parë përsëri, Albin Kurti e Isa Mustafa do të duhet të gjejnë konsensus për ndarje të pazarit duke ia nisur nga fillimi.

Oferta që u tha se është e fundit, e lëshuar nga partia e Albin Kurtit, iu është kthyer Vetëvendosjes me kundër ofertë, e jo me përgjigje nëse e pranojnë të njëjtën apo jo.

Partia që udhëhiqet nga Isa Mustafa nuk po heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, aty ku tashmë është emëruar Glauk Konjufca, i votuar edhe nga deputetët e LDK-së.

Zvarritja e procesit të negociatave që ka rezultat vetëm mos pranimin e ofertave të vëna në tavolinë të diskutimit nga të dy subjektet, ka bërë që marrëdhëniet mes të dyjave të shkojnë vetëm duke u acaruar.

Ishte dje Isa Mustafa, që tha se ofertën për 14 ministri as nuk e diskutojnë në organe të partisë, teksa kërkoi nga Kurti që të ulen e të merren vesh për me propozimin që e dërguar këta.

“Ne nuk kemi pse ta vlerësojmë atë që na ka shkruar Vetëvendosja sepse ne në qoftë se e trajtojmë në organet tona trajtohen vetëm parimet mbi të cilat ne vazhdojmë të bëjmë biseda, në asnjë rast nuk kemi kërkuar shtim të ministrive, ndryshim, këmbim të ministrive, por kemi kërkuar marrëveshje të partneritetit, prandaj si të tillë nuk e shqyrtojmë një pozicionim të tillë por i trajtojmë qëndrimet tona. Qëndrimi i këshillit ka qenë ky që ne të kemi këto pozita dhe çdo ndryshim nuk mund të bëhet pa marrje të verifikim në organet tona”, ka deklaruar dje kreu i LDK-së, në një paraqitje para mediave.

Ky opsion nga partia që ka dalë fituese nga zgjedhjet po kundërshtohen në vazhdimësi. Madje, tashmë edhe publikisht po përmenden zgjedhje të reja, në rast se vazhdohet me kërkesa të njëjta. Oferta e LDK-së për kryeparlamentarin, që pastaj do të zëvendësohej me postin e presidentit është quajtur tallje nga Albulena Haxhiu e LV-së, që e ka refuzuar ofertën e Mustafës.

Në anën tjetër, Besnik Bislimi, nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje është shprehur në emisionin Pressing në T7 se Glauk Konjufca do të vazhdojë të jetë kryetar i Kuvendit dhe kjo nuk mund të ndryshohet, ai është shprehur se nuk duhet të luhet pingpong me këtë pozitë dhe tani nuk flitet më për kryeparlamentar por për Glauk Konjufcën.

Përveç deklaratave në distancë dhe nëpër studio televizive, sot janë bërë një javë nga takimi Kurti – Mustafa, dhe një i tillë nuk dihet nëse do të mbahet.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483