SPORT

Vushtrria konfirmon infektimin e anëtarit të klubit me coronavirus

Klubi i Vushtrrisë është goditur rëndë pas pranimit të rezultateve për dy pjesëtarët e klubit, pasi në grupin e tyre është një rast me coronavirus.

Në orët e vona të së mërkurës kanë pranuar rezultatet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, duke u njoftuar se një pjesëtar i klubit ka rezultuar pozitiv me coronavirus.

Këtë e ka konfirmuar për “Insporti” presidenti i klubit, Bajrush Kajtazi.

“Mirëmbajtësi ka rezultuar pozitiv, ndërsa kapiteni Etrit Halimi negativ. Megjithatë stafi dhe futbollistët e disa zyrtarë kanë pasur kontakt me të infektuarin, jemi të shqetësuar. Ai (mirëmbajtësi) tashmë është në vetizolim, por mund të them se jemi të stresuar për gjendjen e tij dhe fatin tonë”.

Vushtrria të enjten (dje) zhvilloi ndeshjen me Trepçën ’89 në kuadër të Superligës dhe mundësia e shpërndarjes së virusit është shumë e madhe.

Dyshimet se janë infektuar me coronavirus ishin pas ndeshjes me Flamurtarin.

Pas kësaj ndeshjeje Halimit i janë shfaqur simptomat e po ashtu edhe mirëmbajtësit.

Rasti i fundit me Covid-19 në futbollin tonë ishte gjyqtari Ilir Mehmeti, i cili ishte infektuar, por tashmë është shëruar.

Ndërsa para rinisjes së kampionatit të gjitha klubet ishin testuar, pasi futbollisti i KF Dritës, Izair Emini, kishte rezultuar pozitiv.

Ndryshe, Vushtrria tashmë edhe matematikisht është përshëndetur nga elita e futbollit tonë, pasi renditet në pozitën e 11 me 18 pikë të grumbulluara, pas 29 xhirove.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483