Rajoni

Vuqiç po vazhdon me idenë e mbajtjes së konfliktit të ngrirë, ndërsa synon hapjen e industrisë ushtarake në Leposaviq!

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, duke komentuar së fundmi deklaratat e presidentit të Serbisë për Kosovë ka gjetur një shprehje adekuate duke thënë se udhëheqësit serbë nuk kanë kufij – shkruan Kosova.info

Vuqiç të enjten, pas takimit me përfaqësues të vendeve anëtarë të Grupit të Kuintit tha se rajoni i Nagorno Karabakhut është dëshmi se si mund të kthehen përleshjet e armatosura si pasojë e konflikteve të ngrira derisa iu referua çështjes së Kosovës.

Në këtë takim kryefjalë e përfaqësuesve të grupit të Kuintit ishte Samiti i Procesit të Berlinit në të cilën theksuan rëndësinë e Deklaratës për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe agjendën e gjelbër si një lidhje të mirë e të fuqishme dhe integrimit të rajonit që do ta lehtësojë bashkëpunimin e BE me Ballkanin perëndimor në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Megjithatë, Vuqiç duket se nuk është i kënaqur me këtë.

Ai u mundua të bind ambasadorët rreth hapit të parë në realizimin e nismës së Mini Shëngenit për lëvizje të lirë midis tri vendeve Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.

Kjo deklaratë e tij u prit me kritika nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Zyrtarisht nuk kishte pasur ndonjë reagim nga zyrtarë të BE.

Megjithatë presidenti i Serbisë Vuqiç, ka ndërruar diskursin në lidhje me Kosovën, dhe kjo mund të jetë si pasojë e ndonjë reagimi kanaleve diplomatike nga qarqet e Brukselit. Por edhe reagimi i Vuqiç ishte i thatë dhe ishte në kundërthënie të plotë me qëndrimin e tij.

Ai porositi politikanët në Kosovë se Serbia është mik i tyre. Por kjo nuk arsyetohet me faktin se ende nuk është i gatshëm për njohje reciproke.

Një nga figurat që konsiderohet pro perëndimore, Drejtoresha e Qendrës për Studime Euroatlantike Jelena Milic, duke komentuar kërkesat e ushtrueses së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani adresuar BE dhe NATO që të reagojë ndaj deklaratës së Vuqicit, tha se ato janë plotësisht të drejta.

“Nëse diçka na ka mësuar konflikti në Kaukaz është se: Armenia ka marrëveshje për të dyja, pra edhe me Moskën, por vetëm për mbrojtjen e territorit të saj, Nagorni Karabahu nuk është territor i saj”.

Ajo theksoi se përkundër që Serbia është e rrethuar me vendet e NATO nuk do të thotë që askush nuk do ta sulmojë.

“NATO nuk përzihet në kontestet bilaterale, madje as mbrojtëse dhe të armatosura të anëtarëve të saj. Serbinë mund ta sulmojnë terroristët nga Kosova dhe vendet e tjera anëtare të NATO-së dhe jo NATO-s”, tha Milic.

Sipas saj është disfatë që ShBA po e mbështesin transformimin jo kushtetues të forcave të sigurisë së Kosovës.

Nga njëra anë kritikon ShBA që po e ndihmojnë transformimin e forcave të sigurisë, e nga ana tjetër thotë se është mirë që kanë kontrollin mbi këto trupa.

“Emërimi i Angjelka Atanaskoviq për ministër të ekonomisë me detyrë që në Leposaviq të zhvillojë industrinë ushtarake nga Tërsteniku është gjë e mirë”, tha Miliq.

Analisti Blerim Burjani thotë se, Serbia nuk e ka synim arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Serbia nuk dëshiron për shkak të pretendimeve të saj territorial. Sa herë që jepen impulse nga qarqe ndërkombëtare për të finalizuar marrëveshjen Vuqiç vepron dhe kërcënon Kosovën. Por jashtë njohjes nuk ka alternative tjetër”, tha Burjani për Kosova.info.

Vuqiç në përpjekjet e tij për të shpjeguar deklaratën e tij, tha se ajo ka qenë precize dhe se konflikti i ngrirë në të ardhmen do të mund të sjellë përplasje të armatosur.

Se është precize deklarata e tij, askush nuk mund ta mohojë, sepse një fillimi një përplasjeje eventuale të armatosur e ka në dorë dhe të shkruar edhe strategjinë e mbrojtjes dhe sigurisë nacionale që janë akte të armiqësisë ndaj Kosovës.

Kjo, sepse në strategjinë e mbrojtjes thuhet ndër të tjera se, përmirësimi i pozitës së serbëve në rajon dhe botë është me rëndësi të veçantë për sigurinë dhe mbrojtjen e Serbisë, në një kohë kur ende janë të freskëta plagët nga agresioni i fundit serb në Kosovë. /Kosova.info/