Vuçiqi të hënën do të flasë për Kosovën pas takimit me pesëshen perëndimore

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se të hënën pasdite do t’u drejtohet qytetarëve lidhur me bisedimet e fundit për Kosovën.

Paraprakisht mediat njoftuan se Vuçiqi do të marrë pjesë të hënën në seancën e Qeverisë së Serbisë kushtuar po kësaj teme dhe se pas seancës do t’u drejtohet qytetarëve.

Në një postim në Instagram, Vuçiqi ka bërë të ditur se të hënën do të flasë për “të gjitha problemet me të cilat përballemi dhe zgjedhjet që na presin”.

“Dje ishte një nga ditët më të vështira për vendin tonë dhe kurrë nuk u fsheha nga njerëzit në Serbi kur ndodhin gjëra të tilla. Do të kemi shumë telashe dhe probleme me të cilat do të përballemi në të ardhmen dhe për këtë duhet unitet ndërsa nga ata që e prisja, për shkak të përgjegjësisë që duhej të tregonin, përkatësisht përfaqësuesit tanë politikë, nuk e morëm këtë (unitetin)”, deklaroi Vuçiqi në videon e postuar në Instagram, transmeton Klankosova.tv.

“…do të flas për gjithçka, për të gjitha temat, për të gjitha problemet me të cilat po përballemi…”, tha ndër të tjera Vuçiqi në këtë video.

Presidenti i Serbisë dje ka takuar përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në Beograd, me të cilët ka diskutuar për të ashtuquajturin plan franko-gjerman për Kosovën.

Pas atij takimi, Vuçiqi deklaroi se Serbia është e gatshme të pranojë konceptin dhe të punojë në zbatimin e marrëveshjes së propozuar për çështjen e Kosovës.

Ai ka deklaruar se gjatë bisedimeve me diplomatët perëndimorë “është ballafaquar pa mëdyshje me problemet dhe sfidat që do t’i viheshin Serbisë nëse nuk pajtohej me planin e propozuar për çështjen e Kosovës”. 

Go to TOP