Rajoni

Vuçiq shkrin opozitën me pozitën

Pa opozitë në Parlament e me media që i kontrollon plotësisht, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në dy javët që vijnë, do të krijojë Qeverinë e re, nëpërmjet partisë së tij, SNS. Analistët deklarojnë se ky shtet, praktikisht ka rrëshqitur në diktaturë, pasi ende pa u krijuar institucionet e reja, ai paralajmëron datën e zgjedhjeve të parakohshme.

“Në këtë rast diktatura ndryshe nuk mund të shpjegohet pos me këto paralajmërime, sepse ai sa herë që e fiton procesin zgjedhor, ai paralajmëron një proces të ri zgjedhor në të cilin ai tenton të dalë edhe më i fortë edhe më i madh me numra edhe të vazhdojë sundimin e tij në kuadër të Serbisë”, shprehet Baki Rexhepi, analist nga Presheva.

Në këtë rast, mungesa e opozitës, vlerësohet handikap për Serbinë, por avantazh për Vuçiqin.

“Kemi një opozitë shumë të brishtë në Serbi e cila nuk dëgjohet fare edhe në parlament. Edhe mediat janë totalisht të varura nga partia e Aleksandër Vuçiqit. Pra mendoj se koha nuk është mirë për Kosovën dhe për rajonin sepse modele të tilla nuk iu duhen shteteve të Ballkanit”, thotë Muhamet Hajrullahu, analist politik nga Prishtina.

Analistët e shohin si të pashpresë situatën, për të dalë nga kurthi ku e ka futur Vuçiç. “Është ngulfatur opozita në Serbi dhe nuk ka ndonjë zhvillim demokratik ta quaj ashtu për t’u dhënë shpresë qytetarëve se do të vijë te formimi i një Qeverie e cila do të jetë pro qytetarëve dhe interesave të qytetarëve”, shtoi Rexhepi.

Kjo fuqi politike e presidentit Vuçiq, shihet si problem edhe për Kosovën. “Do të jetë edhe në dialogun Kosovë/Serbi një problem për faktin se në Serbi do ta kemi një Qeveri e cila i ka 60 apo 70% e në Kosovë, Qeveria nuk po ka numra të kalojë as ligje, si ai për rimëkëmbjen ekonomike”, tha Hajrullahu.

Së paku deri në vitin 2022 kur pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Serbi, Qeveria e Kosovës do ta ketë përballë Qeverinë e Serbisë, e cila do të kontrollohet plotësisht nga Aleksandër Vuçiç. Në fund të kësaj jave, partia e Aleksandër Vuçiç pritet të shpalosë edhe emrat e kabinetit të ri qeveritar, ku të gjitha partitë në Kuvend do të jenë edhe në ekzekutiv. Kështu Serbia bëhet një nga shtetet e pakta që nuk do të ketë opozitë parlamentare./euronews.al