Kosova

Vuçiq: Mund të takohem me Thaçin e Kurtin, por nuk diskutojmë asgjë pa heqjen e taksës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ripërsëritur qëndrimin e tij për taksën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtet e Bashkuara të Amerikës, ku gjatë ditës së sotme është takuar me të dërguarin të posaçëm të SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Pas këtij takimi, Vuçiq ka deklaruar se Palmer por edhe Richard Grenell, i dërguari i Posaçëm e presidentit Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, kanë theksuar rëndësinë e heqjes së tarifës prej 100 për qind për mallrat serbe dhe kanë treguar rëndësinë e heqjes së saj, pasi që siç u shpreh Vuçiq, nëse hiqet taksa, me Kosovën mund të diskutohen çështje të rëndësishme thelbësore, transmeton lajmi.net.

Vuçi iu tha gazetarëve në Uashington se, ai ishte mirënjohës se sikurse Grenell ashtu edhe Palmer, janë shprehur insistues që Kosovë të heq tarifën si dhe kanë kundërshtuar idenë e Albin Kurtit.

“Ata mendojnë se është e rëndësishme që të hiqet tarifa në mënyrë që të mund të diskutojmë çështje të rëndësishme, thelbësore. Nuk është problem për mua të takoj Thaçin dhe Kurtin në ndonjë panel, por nuk do të ketë diskutime për çështje thelbësore dhe për statusin derisa të hiqen tarifat”, deklaroi Vuçiq, i cili theksoi se këto fjalë ia ka thënë edhe Palmerit.

Ai po ashtu citohet të ketë thënë se, “përndryshe, me Kosovën vetëm çështje teknike mund të diskutojmë”.

Vuçiq, po ashtu ka folur edhe rreth një takimi të mundshëm ditën e nesërme me Thaçin, por i pari i Serbisë, ka thënë se nuk e di nëse mund të ketë një takim të tillë.

“Unë nuk kam asgjë kundër takimit, por unë jam duke pritur për rezultatin e tarifës. Nëse do të takohemi diku nuk e kam problem, por nuk do të ketë negociata të vërteta për ndonjë çështje statusi”, theksoi Vuçiq, duke kujtuar se ai gjithashtu u takua me Thaçin dhe Kurtin në Munih.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.