Rajoni

Vuçiq kërkon të nxitojnë në dialogun me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se situata në Nagorno-Karabakh ka dëshmuar rrezikun e një konflikti të ngrirë.

Ai në konferencë për media sot ka bërë të ditur konkludimet pas takimit me ambasadorët e QUINTIT dhe të BE-së, ndërsa ka theksuar se zgjidhja më e mirë që mund të arrihet është nëpërmjet dialogut dhe se është më mirë të arrihet sa më herët sesa vonë e të ndodhë ndonjë konflikt.

“Shumëkush mund të mendojë se situata rreth Kosovës është më e mirë tash se më herët, për shkak të rrethanave të brendshme në Kosovë dhe se nuk mund të pritet presion më i madh mbi Serbinë deri në dhjetor dhe janar nga ana e fuqive të mëdha. Situata në Nagorno-Karabakh ka treguar se një konflikt i ngrirë mund të përshkallëzojë në katastrofë të vërtetë kur dikush ta shkrijë atë”, ka thënë Vuçiq, raporton B92, duke shtuar se duhet marrë mësim nga kjo. “Një nga mësimet është se nuk duhet që fëmijëve tanë t’u lëmë konflikt të ngrirë. Kompromisi nuk do të thotë se do ta arrijmë, pasi për këtë janë të nevojshme dy palë”.

Ai ka shtuar se pavarësisht se çfarë ndodh, në fund duhet të mbështetesh në forca tua.

“Për këtë Serbia do të vazhdojë të forcohet ekonomikisht dhe ushtarakisht. Mund të na ndodh ndonjë konflikt, duhet të mbajmë kujdes për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të ardhmen të Kosovës e Metohisë”, ka shtuar ai.