Rajoni

Vuçiq e fton Trumpin: Eja në Serbi ta gjejmë një zgjidhje për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se në 10 ditët e ardhshme do të ftojë presidentin amerikan, Donald Trump, për një vizitë në Serbi.

Ai po ashtu tha se me disa prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Trumpit “do të tentojë të bisedojë” për Kosovën dhe të kërkojë mbështetje për zgjidhje kompromisi.

Këto Vuçiqi i tha kur u pyet rreth festimit të 20 vjetorit hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, ditë kjo që u shënua dje në Prishtinë dhe në qytetet tjera, si dhe pas deklaratës së zyrtarit amerikan Matthew Palmer në Prishtinë se SHBA-ja edhe më tutje do të jetë në anën e Kosovës, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

“Natyrisht se Amerika është me Kosovën dhe do ta mbrojë atë. Këtë e bëjnë edhe Gjermania dhe vende tjera të Quintit dhe kjo për ne është problem i madh dhe i rëndë”, tha Vuçiqi.

Ai shtoi se ky është problemi kyç për Serbinë por tha se vendi do të luftojë për interesat kombëtare.

“Neve na mbetet të luftojmë dhe do të luftojmë. Synimi ynë është që Serbia të mos ketë armiq dhe me ata që dikur kanë qenë, provojmë të kemi marrëdhënie normale dhe të balancuara”, u shpreh presidenti serb.

Leave a Reply

Your email address will not be published.