Kosova

Vuçiq “e demanton” Hotin: Asociacioni i komunave serbe, është temë e pashmangshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme për të biseduar në Bruksel më 28 shtator. Ai ka thënë se bisedime me palën kosovare duhet të vazhdojnë të jenë nën ombrellën e Bashkimit Evropian, ndërsa ka insistuar se tema e Asociacionit të komunave serbe është e pashmangshme.

“Ne jemi të gatshëm për bisedime, Asociacioni i komunave serbe është temë e pashmangshme dhe do të insistojmë në të”, i ka thënë Vuçiq gazetarëve në Serbi, raportojnë mediumet lokale.

Ai është pyetur nëse është biseduar në lidhje me rolin më të madh të SHBA-së në bisedimet me Kosovën. Por ai ka thënë se në këtë nuk mund të përgjigjet, pasi bëhet fjalë për një pyetje komplekse.

“Në mirëbesim, do të vazhdojmë bisedimet nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian”, ka shtuar Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot në konferencë për media ka thënë se Asociacioni është temë e mbyllur.

“Asociacioni nuk do të diskutohet sepse është temë e mbyllur. Nuk e di a do të mbahet takimi në Bruksel, do ta shohim ditëve të ardhshme. Por ne jemi që ta çojmë përpara dialogun”, ka thënë ai.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.