Rajoni

Vuçiq: Do ta uroj Bidenin edhe pse fitorja e Trumpit do të ishte më e mirë për Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Amerikë do të ishte më e mirë për Serbinë.

Vuçiq në reagimin e tij, thotë se do ta uroj Bidenin për fitoren, duke theksuar se do të ketë një bashkëpunim të mirë dhe me të.

“Kurrë nuk kam thënë ndonjë fjalë të keqe për Bidenin, edhe pse e njoh atë më mirë se Trumpin. Unë e kam parë atë katër ose pesë herë. Kam thënë dhe mendoj se është më mirë për Serbinë që të fitonte Trump. Por nuk do të flas keq për Bidenin. Unë do të përpiqem të kem bashkëpunimin më të mirë të mundshëm”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve, përcjell Telegrafi.

Ai theksoi se do të jetë më e vështirë për Serbinë me Bidenin dhe shprehu mirënjohje për Trumpin dhe anëtarët e kabinetit të tij për bashkëpunimin.

Ndryshe, Biden gjatë 1999-së, përgjatë kohës sa shërbente si senator, kërkonte zëshëm që të zbatohej fushata e bombardimeve të NATO-së në Kosovë, pas gjenocidit të bërë nga Serbia.

Biden u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale në ShBA, pasi arriti të sigurojë 20 vota të tjera elektorale në Pensilvani, duke ia siguruar kështu atij mbi 270 vota elektorale.