OPINION

Vuçiç dhe kompromiset që i do si në reality show serb “Zadruga”

Nga Kosova.info
Politika zyrtare e Serbisë është bërë si reality show “Zadruga” në atë vend, ku e gjithë ngjarja zhvillohet rreth një mashkulli, të cilin figurat e estradës muzikore ia vënë epitetin Sulltani nga një serial turk, ku herë është me bashkëshorten e herë me një vajzë të re,  për shkak që nuk po arrin të vendos se kujt do t’ia ofrojë dashurinë.  Por ky qëndrim i tij po përcillet me sulme verbale gati edhe me fizike.

Po kështu është jeta politike e presidentit Aleksandër Vuçiç kur është fjala për Kosovë duke u ulur herë në njërën ulëse herë në tjetrën, duke ruajtur pozicionin neutral në tentativë.

Presidenti serb Vuçiç thotë se Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut nën dy kushte: formimin e asociacionit të komunave serbe dhe nëse Kosova tregon gatishmëri për kompromis. Kur është fjala për këtë të fundit ai mendon që të zhbëjë njohjet e Kosovës nga 111 shtete, apo thënë shkurt nëse Kosova heq dorë nga shteti, ose në rastin e fundit ndarjen jo vetëm të veriut por edhe pjesëve brenda shumicës shqiptare ku në fokus manastiret. Ndoshta Vuçiç e thotë pasi mendon se ata në perëndim dëshirojnë këtë ta dëgjojnë. Ai nuk e ka guximin ti thotë gjërat me emrin e vërtet. Kjo është blerje kohe një vit apo dy, dhjetë vite. Imagjinon një ndryshim radikal të situatës politike në botë dhe një mbështetje nga ajo çfarë e ka Serbia tani në bashkësinë ndërkombëtare si ajo e Rusisë.

Vuçiçi  edhe më tej shpreson për ndonjë lëshim nga perëndimi, ku do të vlerësonin që është më mirë që për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, Serbia të mos nxitet në përqafimin më të fortë rusë.

Politika zyrtare e Kosovës nuk ka nevojë të mbajë shpresat se me arritjen e një marrëveshjeje të dëshiruar do të anëtarësohet në OKB.

Një zhvillim i tillë Moskës nuk do ti shkonte përshtati, pavarësisht qëndrimit deklarativ se do të mbështesë çdo zgjidhje për të cilën pajtohen palët,   sepse kështu do të humbte ndikimin në Beograd. Nga e gjithë kjo Kosova do të përfitonte eventualisht një ulëse në hollin e KB, si vëzhguesve e hyrje daljeve të ambasadorëve jo më shumë. Kjo për faktin se Moska në planin ndërkombëtarë do një zgjidhje unike edhe për territoret e kontestuara në disa vende të pavarura të ish BRSS. Prishtina zyrtare në arsenalin e saj diplomatik nuk ka asnjë xhoker me të cilën do të sfidonte këtë.

Andaj duhet të jetë e kujdesshme në çështjet që tenton ti imponojë Beogradi në tryezën e bisedimeve e që do të kishin efekt zingjiror. Së pari ajo do krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale kanë shumë kompetenca. Por Beogradi do një marrëveshje të re përtej atyre kompetencave dhe një autonomi për këtë asociacion me një pushtet ekzekutiv dhe ligjor. Andaj i shmanget diskutimit të çështjes energjetike para se të arrihet marrëveshja për asociacionin. Ajo do që këtë çështje ta zhvendos për më vonë duke e çarmatosur nga të gjitha kompetencat autoritetin qendror në rastin e liqenit të Gazivodës nga uji i së cilës është i varur prodhimi i energjisë në KEK. Pas kësaj ajo do të shtronte edhe çështje tjera si kusht për furnizimin me ujë të  KEK, duke pretenduar në asetet e kësaj korporate, krijimin e edhe të ndonjë komune të re serbe në afërsi të basenit të thëngjillit gradualisht duke vënë nën kontroll pasurit kombëtare.

Por Beogradi nuk do të ndalet me kaq. Ajo dëshiron edhe eksterritorialitet për manastiret ortodokse në Kosovë dhe një autonomi të tipit të Hilandarit në Greqi, ku as shteti nuk mund të ndërhyjë në asnjë sferë.