Bota

Vritet presidenti i Çadit

Presidenti i Çadit, Idriss Deby, u vra në fundjavë, gjatë përleshjeve të forcave qeveritare me rebelët, njoftoi të martën ushtria e këtij vendi.

Një ditë më herët, rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 11 prillit parashikuan se Deby do të fitojë mandatin e gjashtë në zyrë.

Deby, 68 vjeç, ishte një nga udhëheqësit afrikanë me më së shumti vite në detyrë.

Ai ka marrë pushtetin gjatë një kryengritjeje të armatosur në vitin 1990.

“Deby dha frymën e tij të fundit duke mbrojtur kombin sovran në fushëbetejë”, tha një gjeneral i ushtrisë, teksa njoftoi për vdekjen e tij.

Debi ka shkuar në vijën e frontit në fundjavë, për të vizituar trupat që luftojnë me rebelët e vendosur përtej kufirit në Libi.

Përleshjet me ushtrinë kanë filluar të shtunën.

Një gjeneral i ushtrisë i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se 300 kryengritës janë vrarë dhe 150 janë kapur. Pesë ushtarë qeveritarë janë vrarë po ashtu, por shifrat nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Deby, për kohë të gjatë, ka qenë aleat i Francës dhe i fuqive të tjera perëndimore në betejën kundër grupeve xhihadiste, në rajonin e Sahelit në Afrikë.