Kosova

Vrajolli: Nga aksioni i Karaçevës do të duhej të kishte konfiskime të mëdha

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në emisionin Desku në KTV ka thënë se në aksionin e Karaçevës do të duhej të kishte konfiskime më të mëdha.

“Reagimi ka qenë i duhur, ndër problemet në Kosovë sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative të nivelit të lartë është konfiskimi i pasurisë. Në përgjithësi ajo çfarë pret nga aksion që u raportua të jenë rreth 500 policë, pret që të ketë miliona të konfiskuara dhe për mua është pak shqetësuese që të shpenzohet gjithë ai resurs shtetëror për aq pak konfiskim”, ka thënë Vrajolli. “Kazinot besoj se duhet të ketë mjete financiare aty. Mbyllja e kazinove mendoj se do të ishte një procedurë më e lehtë, nuk është ndoshta problemi më i madh me mbyllë kazino”.

Megjithatë, ai thotë se aksioni i Karaçevës duhet të përshëndetet.

“Është një aksion i cili duhet të përshëndetet për faktin që është përmendur se rreth 60 persona kanë qenë të arrestuar, të dyshuar për krim të organizuar në përgjithësi po pritjet janë gjithmonë janë që të preket aty ku është qëllimi i krimit të organizuar. Dhe qëllimi i krimit të organizuar është krijimi i dobive financiare. Luftimi i krimit të organizuar duhet të orientohet në konfiskimin e vlerave të fituara në mënyrë ilegale dhe në Kosovë ndodhë shumë pak”, ka thënë Vrajolli.