EKONOMI

Votohet në parim Projektligji për Automjete që parasheh heqjen e homologimit

Anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë me vota unanime sot kanë përkrahur në parim Projektligjin për Automjete, i cili parasheh heqjen e homologimit, ndërsa nuk ka pasur diskutime për të njëjtin.

Kryetarja e komisionit, Fitore Pacolli, tha se i njëjti plotëson kushtet e parapara me Rregulloren e Kuvendit dhe i rekomandon Kuvendit për miratim në parim.

Pacolli: Projektligji plotëson kushtet dhe i rekomandohet Kuvendit për miratim

“Shqyrtimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete plotëson kushtet e parapara në nenin 54 të Rregullores së Kuvendit dhe i rekomandon Kuvendit për miratim në parim. Ju tani e keni pranuar edhe arsyetimin për projektligjin, prandaj po e hedh në votim propozimin që të votohet në parim ndryshim plotësimi i Ligjit për Automjete”, tha ajo.

Debat në mes deputetëve ka ngjallur kërkesa e kryetares së komisionit Fitore Pacolli, që Kuvendit t’i rekomandohet mos votimi i raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Hekurudha. Ajo tha se raporti nuk i ka pasur informacionet e nevojshme dhe se nuk kanë marrë përgjigje në pyetjet e parashtruara.

Pacolli: Raporti nuk duhet të kalojë

“Pas diskutimit të gjatë diku 4 orë nga ajo çfarë ne kemi arritur që të mbledhim informacione prej Bordit dhe drejtorit të Autoritetit Rregullator për Hekurudha, unë rekomandoj që ne të votojmë për mos miratimin e raportit në seancën plenare. Për shkak se raporti nuk ka informata të nevojshme, nuk kemi marrë përgjigje të sakta në shumicën e pyetjeve të cilat i kemi ngritur, nuk kemi marrë sqarime të mjaftueshme. Unë konsideroj që ky raport nuk duhet të kalojë dhe të shkojë me rekomandimin tonë për mos votim në Kuvend”, tha ajo, njofton KP.

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ishte kundër rekomandimit të kryetares së Komisionit, për çka tha se raporti në esencë pasqyron drejt punën që është bërë.

Haxhiu: Raporti në esencë pasqyron drejt punën që është bërë

“Raporti në esencë pasqyron drejt punën që është bërë edhe raporti i Auditorit është i mirë për këtë organizatë, pra nuk ka keqpërdorim të parasë publike dhe disa prej përgjigjeve, të cilat janë kërkuar është dashtë të adresohen apo mbështetën nga dy qeveritë e fundit, pra qeveria Kurti edhe qeveria Hoti, të cilat e kanë pasur përgjegjësinë për këto shqetësime për vitin e fundit. Ju mundeni mos ta votoni, është në dorën e çdo deputeti…Kur deputetët thonë që nuk është më i rëndësishëm vlerësimi i Auditorit, por më i rëndësishëm është vlerësimi politik, atëherë nuk do mend. Ne shpesh herë bëjmë pyetje edhe për qeverinë po nuk marrim përgjigje, tash pse nuk marrim përgjigje nuk mund të kërkojmë që të bie qeveria, nuk donë me u përgjigj se i ka arsyet ose është përtej kompetencave. Sido që të jetë, ne po e lëmë në dorën e juaj, votat i keni, nëse doni votojeni nëse doni jo, qysh doni bëjani, përgjegjësia ju përket juve në qeveri dhe në ndërmarrje”, tha Haxhiu.

Ndaj deklarimeve të Haxhiut ka reaguar sërish kryetarja e komisionit Fitore Pacolli, e cila tha se anëtarët e bordit kanë shpenzuar 16 mijë euro për tri vizita, e që tha se janë një buxhet tepër i madh për Kosovën.

Pacolli: 16 mijë euro janë buxhet tepër i madh për shtetin e Kosovës

“16 mijë euro për tri vizita dhe ato kanë qenë vizita rajonale, një në Shqipëri, në Bullgari dhe një në Turqi. 16 mijë euro janë buxhet tepër i madh për shtetin e Kosovës dhe është keq menaxhuar prej të njëjtëve njerëz”, tha Pacolli.

Në mbledhjen e sotme të komisionit, kryetarja Pacolli ka njoftuar deputetët lidhur me vizitën që është bërë më 2 qershor 2021 në tri lokacione sa i përket çështjes së gurthyesve, ku kanë zhvilluar vizitë në Shalë të Lipjanit, Kërvasari të Malishevës dhe dy vizita në Prizren, një në fshatin Shkozë dhe tjetra në rrugën Shkozë-Zhur.

Pacolli tha se i kanë rekomanduar Ministrisë së Mjedisit që të ndërmerr hapa konkret për secilin lokacion, ndërsa rekomandimi i përgjithshëm bëri të ditur se ka qenë që urgjentisht të shqyrtojë dhe vlerësojë veprimtarinë e të gjithë operatorëve, nëse ato janë duke operuar në përputhje me ligjet në fuqi.