OPINION

Vota pro VV-s është një dëshmi e pjekurisë demokratike

Shkruan: Llesh Duhanaj
Entuziazmi dhe shpresat e mëdha me formimin e shtetit të ri të Kosovës për fat të keq nuk mund të mbështeteshin dhe të shndërroheshin me sukses në një zhvillim të qëndrueshëm (pa i mohuar, as zvogëluar, të arriturat).

Përkundrazi, një nivel i lartë zhgënjimi është krijuar me kastën politike, me nepotizmin dhe korrupsionin mbizotërues, i cili po shtyn edhe klasën e mesme në emigracion.

Në testin “PISA”, i cili është testi kryesor ndërkombëtar për edukimin fillor dhe të mesëm të arsimit (Testi PISA mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë), shteti i Kosovës është në nivelin më të ulët të mundshëm të arsimit (Kosova është vite më radhë e treta nga fundi nga mbi 70 vende pjësemarrëse).

Mjerisht, padrejtēsia në drejtësi është pothuajse në zenit. Asnjë rezultat konkret në dënimin e korrupsionit të profilit të lartë, meqense pavarësia e gjyqtarëve dhe gjykatave duhet të ishte një nga parimet themelore të një shteti demokratik.Fatkeqsisht edhe sistemin e shëndetësisë e kanë percjellë shumë probleme, duke u nisur nga kushtet higjeniko sanitare, mungesa e barnave esenciale, mungesa e profesionistëve shëndetësorë e infermierëve, po ashtu edhe ikja e mjekëve nga Kosova për të kërkuar punë e kushte më të mira të punës jashtë Kosovës.

Sa i perket policisë, ajo akoma nuk i përmbush disa kushte bazë, perderisa frekuenton kafenet gjatë ose pas orarit të punës.Ekonomia kosovare është në thelb një ekonomi konsumatore me pak prodhim të brendshëm dhe shumë të papunë. Ekonomia varet kryesisht nga pagesat e transferimit nga mërgata, veçanërisht nga “Gerrnaçat” në Gjermani dhe Zvicër.I jap Kryegerrnaçit të Kosovës të drejtë, se këto pagesa dhe transferime përdoren kryesisht për konsum privat, por shumë pak në investime (duhet të ketë kushte të qendrueshme z. Kryegerrnaç).

Andaj vota pro VV-s është një deshmi e pjekurisë demokratike, kryesisht një votë kunder klasës politike të dy dekadave të fundit dhe problematikave të lartëcekura, e jo pro nëpunësit të vogel mediokër (qofsha i gabuar me ketë vlersim/epitet).Pamvarsisht problematikave të thella, jam optimist se znj. Osmani do të deshmoj një kultur të re të kyçjes ndaj ketyre çeshtjeve dhe do jetë një model për mbarë klasën politikë në Kosovë e në veçanti për nëpunsin mediokër.