OPINION

Vota pro Përparimit ndan epokat për Prishtinën

Shkruan: Flamur SADRIU
Në këto dy mandatet e kryetarit në ikje të Prishtinës, kemi parë mjaft. Në fakt, më mirë thënë, i kemi parë të gjitha. Kemi parë një kryetar kryeqyteti që ka menaxhuar me 0.7 miliard euro dhe rezultat i vetëm i “punës” së tij janë disa kifle e disa mililitra qumësht për nxënësit, disa autobusë të blerë me kredi 20 vjeçare dhe 1 çerdhe publike. Kaq. Vetëm kaq pak është bërë për kaq shumë vite.

Prishtina e sotme më shumë i ngjan një qyteze gjigande, sesa një kryeqyteti të mirëfilltë. Për diçka të ngjashme me metropol nuk mund të flasim. Edhe krahasimi me Tiranën apo Shkupin na duket jo i arritshëm. Pra, jemi keq edhe po të matemi me kryeqendrat e rajonit. Ngjashmëria me Europën, nga viti në vit, po bëhet një ëndërr e largët dhe e paarritshme.

Për shkak se situata duket kaq e pashpresë, edhe ndryshimi duhet të jetë thellësisht radikal. Ndryshimi në vetvete, duhet të jetë transformim. Nuk e kemi luksin ta zgjedhim prapë një kryetar që i promovon si punë të tij mbulimin e gropave, mbjelljen e një peme apo ndërrimin e një llampe. Prishtina, qyteti ynë e kryeqyteti i të gjithëve, ka nevojë për projekte madhore që janë në lartësinë e madhështisë së Prishtinës. Dhe njeriu që i’u qëndron mbrapa këtyre projekteve madhore është Përparim Rama, një arkitekt e urbanist i kalibrit botëror, emri i të cilit lidhet me shumë projekte madhore të realizuara gjithandej botës.

Meqenëse për tetë vite në Prishtinë nuk është ndërtuar asnjë shkollë, pikërisht për këtë Përparim Rama e ka në program ndërtimin e 7 shkollave të reja. Ndërsa për çerdhet, Kryetari në ardhje Rama ka menduar një zgjidhje tjetër. Komuna e Prishtinës do të subvencionojë çerdhet private. Meqë prindërit që i kanë regjistruar fëmijët në çerdhe private paguajnë nga 50 euro në muaj, ndërsa ata në çerdhe private 120 euro në muaj, Komuna do t’u ndajë prindërve kupon në vlerë 70 euro në muaj. Pra, për xhepin e prindërve të Prishtinës çerdhja private do të kushtojë aq sa çerdhja publike.

Lagjet Mati, Veterniku dhe Kalabria do të lidhen përmes “Rrugës A” e bashkë me të do të ndërtohet edhe kolektori përkatës. Dragodani, kaq afër me qendër e kaq të vështirë e ka qasjen në të, do të lidhet me qendrën përmes një platforme, ku pjesë e këtij investimi do të jetë edhe ndërtimi i Sallës Koncertale të Prishtinës. Edhe lagjet Dardania dhe Kalabria do të lidhet përmes një projekti madhështor dhe transformues.

Ndërsa Ulpiana, njëra ndër lagjet më identitare të Prishtinës, do të modernizohet përmes bashkëinvestimit me sektorin privat dhe banorët. Duhet thënë se këto projekte, të pranuara si madhështore nga të gjithë por të kritikuara për koston e tyre, të gjitha së bashku kushtojnë sa buxheti vjetor i Prishtinës. Pra, ato janë realiste dhe do të bëhen të prekshme me Kryetarin Përparim Rama. Domethënë, jemi vetëm një votë larg Prishtinës së epokës tjetër.

Shfaq më shumë
//chooxaur.com/4/3473483