Kosova

Vjosa Osmani sot me tubim madhështor në Istog, shpalos Programin qeverisës

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, sot vazhdon fushatën zgjedhore me një tubim madhështon në Istog, ku do të prezantojë programin e saj qeverisës, i cili përbëhet nga pesë shtylla.

“Qeveria e LDK-së do të nisë një Program Nacional të Kursimit, nëpërmjet të të cilit do t’i reduktojë të gjitha shpenzimet e luksit publik dhe do t’i evitojë shpërdorimet financiare në skema korruptive. Nëpërmjet këtij programi do t’i kursejmë mbi 100 milionë euro në vit, gjegjësisht 400 milionë euro gjatë mandatit të parë 4-vjeçar”, tha Osmani, para fillimit të tubimit madhështor në Istog.

Në qendër të programit të saj Osmani e ka familjen. “Familja është shtylla e shtetit dhe e shoqërisë, andaj synimi ynë është ta mbështesim zhvillimin e një familjeje të shëndoshë, të edukuar mirë, e cila e përballon jetën lehtë financiarisht. Secilin vit në Kosovë lindin rreth njëzet mijë foshnje. Plani ynë është që nënat dhe foshnja në vitin e parë ta përballojnë jetën më lehtë financiarisht”, tha Vjosa Osmani.

Në fushën e arsimit nënkryetarja e LDK-së paralajmëron masa konkrete duke filluar nga poshtë lartë, që nënkupton nga arsimi parafillor deri tek arsimi universitar.

“Vizioni i LDK-së është që çdo familjeje e çdo banori t’i mundësohet qasja në kujdesin parashkollor, për të gjitha foshnjat mbi moshën 1-vjeçare. Për këtë, në Qeverinë e ardhshme do të nisë Programi Nacional i Kujdesit Parashkollor, me qëllim të investimit në çerdhe dhe zgjerim të kapaciteteve në shkolla aktuale për transformim eventual të tyre”, shtoi Osmani.

Këto dhe shtyllat e tjera të Programit qeverisës, Vjosa Osmani, do t’i prezantojë pas pak në tubimin në Istog.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483