Kombëtare

Vjosa Osmani: Kurrë më me PDK-në, kurrë më me të korruptuarit

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, e ka mbajtur një takim qytetarët në lagjen “Dardania” ku dikur ka jetuar edhe vet.

“Është ndjesi e jashtëzakonshme që të vi në lagjen ku edhe ashtu e kaloj çdo vikend sepse prindërit e mi jetojnë në “Dardani”, por nuk ka ndoshta vite që lënë përshtypje më të mirë në jetën e njeriut dhe që e formësojnë atë sesa vitet studentore”.

“Pikërisht në ato 10-15 vjet kur edhe isha studente edhe punova, “Dardania” dhe njerëzit e Dardanisë janë atë që më kanë ndihmuar ta ndërtoj personalitetin tim, besimin dhe solidaritetin mes njëri-tjetri”.

Osmani nga “Dardania” e ka ripërsëritur se rinia e Kosovës është arsyeja pse i ka hyrë kësaj gare.

“Ne e kemi si Kosovë, por në veçanti si Prishtinë, si popull i këtij shteti, por në veçanti rinia jonë e ka një sfidë tepër të madhe para nesh – sfida e zrbrasjes së Kosovës … Arsyeja pse i kam hyrë kësaj gare me përkushtim të madh është rinia e Kosovës. Rinia e Kosovës është arsyeja pse i kemi hyrë kësaj sfide. Rinia e Kosovës janë arsyeja pse do të fitojmë” tha ajo.

Tutje Osmani shtoi se lagjja Dardania është shembull i keqmenaxhimit dhe keqqeverisjes.

“ ‘Dardania’ është një shembull që ka hequr shumë nga keqqeverisja, nga ata që i kishim në nivel qendror që kurrë nuk u kujdesen për prishtinasit. Pavarësisht që Prishtina e mbushë arkën e shtetit me më shumë se gjysmën e buxhetit kujdesi nuk ishte kurrë në përkushtimin që Prishtina e meriton. Tash këto vjet nga keqqeverisja e atyre që po dëshmohen se janë në shërbim të të korruptuarve” tha ajo duke shtuar se “Ka ardhë kohë që t’u themi të gjithëve lamtumirë – atyre që keqqeverisën në nivel qendror dhe atyre që  nuk bënë dhe nuk po bëjnë asgjë për Prishtinën në nivel lokal”.

Osmani ka thënë se LDK e ka dëgjuar zërin e qytetarëve, prandaj tash është koha që Kosova ta bëjë ndryshimin.

“Në këtë sfidë, nuk jam vetëm. Për shumë vite me radhë, qytetarët kanë kërkuar edhe nga LDK-ja që të bëjë hapa pozitivë. LDK-ja e ka bërë ndryshimin e saj dhe e ka dëgjuar zërin tuaj – e ka dëgjuar secilin prej jush dhe tani është koha që Kosova ta bëjë ndryshimin. Është koha që ai ndryshim të mos jetë retorikë dhe fjalime në fushatë”, tha kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së.

Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja para qytetarëve në lagjen “Dardania” është zotuar se LDK-ja nuk shkon më kurrë me PDK-në. Por, është zotuar edhe se nuk do ta keqpërdor besimin e qytetarëve.

“Dua ta përsëris edhe njëherë sot, sepse më shumë se çdokënd ju kamë pas dëshmitar që kurrë nuk e kam keqpërdorur besimin tuaj dhe nuk e kam dërguar aty ku nuk duhet. Dua të zotohem edhe njëherë para kësaj lagje që e kam shkel për 15 vjet, LDK-ja kurrë më me PDK-në, LDK-ja kurrë më me të korruptuarit”, tha Osmani

Osmani premtoi gjithashtu se besimin e qytetarëve nuk do ta keqpërdorë kur të ta merr pozitën për të cilën garon.

“Ju e dini që këtë besim që sonte po e marrim nga ju dhe në çdo cep të Kosovës nuk do ta keqpërdori. Këtë besim e kemi ndërmend ta kthejmë në punë dhe plane konkrete për familjet kosovare. Nuk ka për mua asgjë më të shenjtë sesa besimi juaj, besimi i njerëzve me të cilët jemi rritur bashkë dhe besimi i këtij ekipi me të cilët do të rrugëtojmë bashkë dhe nuk do të ndahemi asnjëherë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova”, tha ajo.

Ajo në fund ka pasë edhe një apel për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Apeli im është besoni. Besoni sikur atëherë kur besuat edhe pse ju rrezikohej jeta, edhe atëherë kur shumë familje as nuk guxonin të tregojnë se do të votojnë për LDK-në sepse rrezikoheshin, besoni sikur atëherë kur Besian Mustafa e humbi babanë, por kurrë nuk u mposhtën dhe nuk e humbën besimin e tyre për LDK-në. Është koha që secilit të ri dhe të re të ja kthejmë besimin në shtetin e tyre që ata me krenari t’i mbrojnë ngjyrat e Kosovës, ashtu si po i mbron Kombëtarja sot. Që të gjithë ta dëgjojnë me krenari himnin e Republikës dhe Kosovës”, tha Osmani.

“Është koha që bashkë më ju ta ndërtojmë një të ardhme me të cilën do të krenoheni të gjithë. Plaka, pleq, gra, burra dhe të rinj bashkohuni në rrugëtimin tonë sepse ky është referendum për shtetin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha ajo në përfundim të tubimit.