Vitia: Klinika Kardiokirurgjike po renovohet në përputhje me standardet evropiane

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shpërndarë disa fotografi të renovimit të Klinikës së Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se sallat e operimit janë në proces të renovimit e riorganizimit në përputhje me nevojat dhe standardet kardiokirurgjike.

“Është ulur lista e pritjes për pacientët nga 1 vit në 3 muaj. Aktualisht po punohet në renovimin e riorganizimin e klinikës në tërësi. Në mjekimin intensiv të klinikës u rrit numri nga 4 në 10 shtretër. Dhomat për infeksione të rënda po izolohen sipas standardeve evropiane”.

“Sallat e operimit janë në proces të renovimit e riorganizimit në përputhje me nevojat dhe standardet kardiokirurgjike. Numri i shtretërve në repart është rritur. Klinika do ta ketë depon për barna, hapësirën për materiale kirurgjike, arkivën dhe dhoma për personelin shëndetësor”.

“Janë duke u riorganizuar sporteli edhe po bëhen nyje sanitare të reja. Çdo ditë punë të reja për transformimin e plotë klinikë për klinikë”, ka thënë Vitia.

Go to TOP