SPORT

Viti 2019, më i suksesshmi në xhudo

Viti 2019 për Kosovën në sportin e xhudos, ka qenë më i suksesshmi deri tani.

19 medalje të fituara vetëm nga xhudistët elitarë të vendit, që shkëlqyen në çdo garë ku ishin pjesëmarrës, e ku fituan të paktën nga një medalje, normalisht nën drejtimin e arkitektit të të gjitha sukseseve, trajnerit Driton Kuka.

Me nga pesë medalje, vitin 2019 e mbyllën Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Loriana Kuka, tri medalje përgjatë vitit i pati Nora Gjakova dhe një tjetër u mor nga Akil Gjakova.

Lojërat Evropiane e Botërore cilësohen si më të fortat përgjatë një viti. E pikërisht aty, Kosova doli shumë e suksesshme, raporton Sporti në KTV.

Në Evropian, ekipi i xhudos i fitoi tri medalje. Majlinda Kelmendi u stolis me të artën në kategorinë deri në 52 kg, Nora Gjakova ishte e argjendtë në kategorinë deri në 57 kg, dhe Loriana Kuka shkëlqeu me ngjyrën e bronztë në kategorinë deri në 78 kg.

Në xhudo, Lojërat Evropiane janë ekuivalente me Kampionate Evropiane për seniorë, dhe xhudistët në Minsk të Bjellorusisë në qershor u stolisën me nga dy medalje.

Të bronztat, xhudistët elitarë të Kosovës i morën në Botërorin e Japonisë, dy muaj më pas.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi u kurorëzuan me të bronztën, derisa Akil Gjakova nuk e pati formën, për të cilën u prit ta ketë.

Megjithatë, ky vit është suksesi më i madh i ekipit të Kosovës në xhudo.

Me ritëm të njëjtë pritet të vazhdojnë sukseset edhe në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Majlinda Kelmendi

Kampionia e artë olimpike, Majlinda Kelmendi, e mban ende kurorën e mbretëreshës së këtij sporti në vendin tonë.

E vetmja me medalje të artë olimpike në Kosovë, e arritur kjo në vitin 2016 në Brazil, vitin 2019 e mbylli me pesë medalje.

Lëndimin e la prapa në fund të 2018-s, dhe e fitoi të artën në Grand Prixin e Tel Avivit, Grand Slamin e Dusseldorfit, në Lojërat Evropiane në Minsk të Bjellorusisë, të bronztën në Botërorin e seniorëve në Tokio të Japonisë, dhe vendin e parë në Grand Slamin e Abu Dhabit.

Në Botërorin e Tokios sivjet, Majlinda Kelmendi e pati duelin e shumëpritur dhe më interesantin të vitit. Në gjysmëfinale, heroina 28-vjeçare e Kosovës u përball me 19-vjeçaren Uta Abe, që e fitoi ballafaqimin me pikë të artë me yoko-shiho-gatame, dhe më pas e mori të artën në atë garë.

Nora Gjakova

Edhe 27-vjeçarja Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kg, e pati një prej viteve më të mira personale në xhudo. Medalje të artë mori në Grand Prixin e Tbilisit në Gjeorgji.

Doli nënkampione dhe e argjendtë në Lojërat Evropiane në Minsk, derisa të njëjtin sukses e arriti edhe më 12 korrik në Budapest të Hungarisë.

Distria Krasniqi

Distria Krasniqi është vetëm 24-vjeçare dhe garon në kategorinë deri në 48 kg.

Edhe për të, viti që po e lëmë pas është një prej më të mirëve që ka pasur ndonjëherë.

E nisi, e vazhdoi dhe e përfundoi 2019-n me medalje, 5 në total.

Garën e parë e pati në Grand Slamin e Parisit, ku u kurorëzua me të argjendtën. Vazhdoi me të artën dhe të argjendtën në Grand Prixin e Antalyas dhe atë të Budapestit.

Sidoqoftë, në gusht u dallua shumë dhe në Botërorin e Tokios e mori të bronztën, ndërsa me të artën e mbylli vitin në Mastersin Qingdaos në Kinë.

Loriana Kuka

Ngritje të madhe në karrierë sivjet ka pasur 22-vjeçarja Loriana Kuka në kategorinë deri në 78 kg.

Kuka pati 5 medalje sivjet po ashtu, në Grand Prixin e Tel Avivit dhe Marrakechit mori të argjendtën, të artën në Çmimin e Madh të Tbilisit.

Edhe pjesën e dytë të vitit e pati të shkëlqyer. U stolis me dy medalje të bronzta në Lojërat Evropiane të Minskut dhe në Botërorin e Tokios.

Akil Gjakova

Nga xhudistët elitarë të drejtuar nga trajneri Driton Kuka, vetëm Akil Gjakova nuk i përmbushi pritjet.

Ndonëse me raste edhe i pafat për shkak të lëndimeve, Gjakova i mbylli garat e 2019-s në kategorinë deri në 73 kg, në konkurrencën e meshkujve, me vetëm një medalje të artë të marrë në Çmimin e Madh të Budapestit.

Nga palestra e vogël në Pejë, se dalin kampionë të mëdhenj e dëshmon vetë fakti për sukseset e Laura Fazliut e Flaka Loxhës.

Laura Fazliu dhe Flaka Loxha

19-vjeçarja Fazliu në kategorinë deri në 63 kg arriti të fitojë dy medalje të bronzta, një në Evropianin e juniorëve dhe një në Botërorin e juniorëve, ndërsa në Sarajevë e fitoi Kupën Evropiane për të rinj.

Flaka Loxha, 20-vjeçarja e kategorisë deri në 57 kg, fillimisht doli e para në Kupën Evropiane për të rinj në Athinë dhe Sarajevë, për ta përfunduar vitin me të Bronztën në Evropianin e juniorëve.

Shpat Zekaj dhe Erza Muminoviq

Shpat Zekaj dhe Erza Muminoviq nuk është se kanë pasur shumë suksese sivjet, por talenti i tyre nuk duhet të vihet në dyshim.

Zekaj 19-vjeçar, në kategorinë deri në 100 kg, mori medalje të bronztë në Kupën Evropiane në Athinë e në Leibnitz, e 17-vjeçarja Muminoviq deri në 48 kg, e fitoi Kupën Evropiane për junior në Athinë, dhe Kupën Evropiane për Kadet në Cluj-Napoca, ndërsa me të bronztën u kthye në shtëpi pas Kupës Evropiane në Bielsko Biala.

Edhe pse pa shtëpi të madhe që do t’ua plotësonte të gjitha kushtet e nevojshme për sportin e xhudos, pra pa një Qendër Nacionale të xhudos, trajneri Kuka dhe nxënësit e tij përmbyllin edhe një vit tjetër të jashtëzakonshëm.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka, të gjithë kanë gjasa për medalje olimpike Tokio 2020.

Dëshpërojnë Kosova A dhe gjeneratat e reja në ndeshjet ndërkombëtare

Për dallim me vitin 2018, ku sukseset e Kombëtares së Kosovës në basketboll nuk munguan, një gjë e tillë nuk ndodhi në vitin 2019.

Në vitin 2019, Federata e Basketbollit e Kosovës, mori pjesë me Kombëtaren A, U20, U18, dhe U16, në të dyja konkurrencat, atë të meshkujve dhe të femrave.

Zhgënjimi i madh erdhi nga ekipi i seniorëve të Kosovës, që në parakualifikimet për Eurobasketin e vitit 2021, realizoi vetëm një fitore, në grup me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe.

Në ndeshjen e parë, Kosova u befasua dhe u trondit nga Luksemburgu që fitoi 88:80.

Në ndeshjen në palestrën ‘Minatori’ në Prishtinë, “Dardanët” pësuan humbje nga Britania e Madhe, ndërsa në Prishtinë realizuan fitoren e parë kundër Luksemburgut 109-88.

Në ndeshjen vendimtare kundër Britanisë së Madhe, në Manchester Kosova humbi dhe me të edhe mundësia për të dalë nga grupi.

Pas kësaj humbjeje, FBK-ja i prishi kontratën përzgjedhësit Damir Mullaomeroviq.

Më 29 tetor, në Zvicër, Kosova mësoi kundërshtarët e radhës, por për Rundin e Parë të para-kualifikimeve për FIBA Kupën e Botës më2023.

Kosova është pjesë e Grupit B, së bashku me Islandën, Sllovakinë dhe Luksemburgun.

Ndeshjet do të zhvillohen gjatë periudhës 17-25 shkurt 2020, 23 nëntor-1 dhjetor 2020 dhe 15-23 shkurt 2021.

Dy Kombëtaret e para të grupit do të kualifikohen në Raundin e Dytë.

Kosova U18 në konkurrencën e meshkujve, që vitin e kaluar fitoi Divizionin C, kësaj radhe dëshpëroi në Divizionin B.

Basketbollistet e Kosovës U-18 kanë përfunduar në vendin e 22-të në Kampionatin Evropian.

Duhet të veçohet që për herë të dytë radhazi, FBK-së, iu besua organizimi i Kampionatit Evropian, Divizioni B, por kësaj radhe në konkurrencën e femrave U20.

Prishtina në të dy konkurrencat, fiton titullin dhe Kupën

Viti 2019, ishte viti i skuadrave nga kryeqyteti, në të dyja konkurrencat.

Prishtina te meshkujt, riktheu titullin kampion dhe Kupën, ashtu siç bënë edhe vashat e Prishtinës.

Kupa e Kosovës, kësaj radhe u mbajt në palestrën e rinovuar “MizairIsma” me Rahovecin nikoqir.

Në gjysmëfinale, Prishtina kishte punë me Yllin që e mposhti 83:77, ndërsa Rahoveci mposhti Prizrenin, 84:77, për të kaluar në finalen e madhe.

Në një atmosferë fantastike, finalja u zhvillua ndërmjet Rahovecit dhe Prishtinës ku fitorja u takoi bindshëm mysafirëve, 96:60.

Kjo ishte Kupa e 15-të në histori të klubit “bardhekaltër, derisa MVP-ja i “Final 8” u zgjodh Dardan Berisha.

Në të njëjtën ditë u luajt edhe finalja e Kupës së Kosovës në konkurrencën e femrave, ku Prishtina e mposhti Penzën, 81:51.

Për ta bërë më interesante Superligën FBK-ja, vendosi të ndryshojë sistemin e “play-offit”.

Prishtina sezonin e mbylli në pozitën e parë, me Yllin në të dytin, ndërsa pjesë e Play-Offit ishin edhe katër skuadra të tjera, që do të duhej të përcaktonin dy ekipe për Final Fourin.

Rahoveci kishte punë me Prizrenin, ndërsa Bashkimi, me Trepçën.

Në gjysmëfinale ishin kualifikuar dy skuadrat e para, Prishtina dhe Ylli.

Rahoveci dhe Bashkimi ishin ekipet që iu bashkuan dy skuadrave të para në “play-offin” e nxehtë.

Në gjysmëfinale Prishtina, priti kampionin në fuqi Bashkimin, ndërsa Ylli, rivalin e vjetër Rahovecin.

Kryeqytetasit u hakmorën ndaj Bashkimit, që i mposhtën në finale të sezonit të shkuar.

Prishtina fitoi bindshëm 3:0 në serinë e Play-Offit, ndërsa Rahoveci poashtu me 3:0 me ndeshje, shkroi historinë duke arritur në finale të “play-offit”.

Prishtina titullin e kampionit e fitoi në palestrën “MizairIsma” ku mposhti në ndeshjen e katërt Rahovecin 105:74, për të fituar 3:1 me ndeshje.

Për kryeqytetasit ky ishte titulli i 15-të në histori të klubit.

Nga 36 ndeshjet e zhvilluar në sezonin 2018-2019, Prishtina kishte pësuar vetëm një humbje.

Edhe vashat e Prishtinës rikthyen titullin në kryeqytet. Në finalen dramatike, prishtinaset mposhtën Bashkimin 76:71, për t’u shpallur kampione të Kosovës.

Finalja e femrave ka qenë shumë interesante me Prishtinën dhe Bashkimin që kanë dhuruar spektakël në secilin takim. Seria e finaleve ka qenë e barabartë me të dyja klubet që kanë fituar nga dy ndeshja dhe fituesi është përcaktuar në ndeshjen e pestë.

Sigal Prishtina dështon keq në arenën ndërkombëtare

Kampionia e Kosovës në basketboll Prishtina, nuk ishte as hija e skuadrës sëvitit tëkaluar në garat ndërkombëtare.

Ekipi “bardhekaltër” me shumë ndryshime nga sezoni i shkuar, synonte suksese edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare.

Prishtina emëroi në pozitën e trajnerit, ish-trajnerin e Pejës dhe Rahovecit, Bujar Locin.

Nën udhëheqjen e Locit, Prishtina fillimisht u eliminua nga Legia e Varshavës, pas dy ndeshjeve nëChampionsLeague, për të vazhduar garat në grupet e FIBA Europe Cup.

E, aventura në FIBA Europe Cup, për Prishtinën, përfundoi në fazën e grupeve.

“Bardhekaltërit” ishin në Grupin C, së bashku me Bayreuth (BAJROJT), Ventspils dhe APOEL Nicosia.

Nga gjashtë ndeshje të luajtura, Prishtina shënoi vetëm dy fitore, duke u renditur në pozitën e tretë me tetë pikë.

Sezoni i ri në Superligë, nisi me Superkupën në të dyja konkurrencat.

Te meshkujt Prishtina, në finale mposhti 91:73, ndërsa te femrat Bashkimi, mposhti Prishtinën 80:73.

Edicioni i ri në Superligën e Kosovës, riktheu Pejën në Superligë, duke e bërë kështu edhe më interesant sezonin e ri.

Prishtina vazhdoi dominimin në Superligë, duke e mbyllur sezonin në pozitën e parë ndërsa Rahoveci, Ylli, Bashkimi, janë skuadrat që mbyllin katërshen e madhe.

Te femrat, e pakonkurrencë në sezonin e ri ishte Bashkimi, që sezonin e mbylli pas asnjë humbje në pozitën e parë me 20 pikë.

Mabetex Prishtina, luan në FIBA EurocupWomen, por humb krejt ndeshjet

Kampionia e Kosovës për femra, Mabetex Prishtina për herë të parë mori pjesë në garat e FIBA EuroCupWomen.

16 vjet më parë, ekipi prishtinas i asaj kohe, Universiteti luante në ligën rajonale Trocal, mirëpo ekipi i Prishtinës u bë i pari nga femrat që luajti për herë të parë në një garë ndërkombëtare të FIBA-së.

Vashatprishtinase ishin të pafat, pasi në grup u shortuan me dy ekipet ruse, Sparta dhe MBA, si dhe me ekipin turk Beshiktash.

Pa përvojë, pa fond të mjaftueshëm dhe pa financa, basketbollistet e Prishtinës, ishin rivale të pabarabarta me kundërshtaret e tyre, duke i humbur thellë të gjitha ndeshjet.

Ndeshjet si vendës të Prishtinës, janë transmetuar direkt në Kohavision.

Pjesëmarrja e Kosovës U21 në Botërorin e Spanjës në hendboll, sukses historik për vendin

Federata e Kosovës në Hendboll ka arsye të forta ta vlerësojë vitin 2019 më të suksesshmin në histori të tij.

Shkak i këtij vlerësimi është bërë kualifikimi i Kombëtares U21 të Kosovës në kampionatin botëror, që u mbajt gjatë verës në Spanjë.

Por, jo vetëm juniorët e Kosovës patën rezultate të mëdha këtë vit, meqë ngritje në cilësi patën edhe ekipi A kombëtar dhe i femrave te gjeneratat e reja.

Kualifikimi i Shpresave është historik, pasi është kombëtarja e parë e Kosovës në të gjitha sportet që është kualifikuar në një ngjarje të madhe siç është Botërori.

Këtë sukses e arriti duke e fituar fazën interkontinentale të mbajtur gjatë muajit prill në Prishtinë.

Në finale e pati mposhtur Taipein Kinez me rezultat 30:26, për ta siguruar kualifikimin në Botërorin e Spanjës.

Në këtë botëror, Kosova e fitoi pikën e vetme dhe historike në ndeshjen e fundit kundër Bahrejnit, ndeshje e cila u mbyll 29:29.

Pa pikë nuk mbeti as ekipi A kombëtar i Kosovës, duke e mposhtur Izraelin 27:24 dhe duke barazuar ndaj Polonisë 23:23, në kuadër të fazës kualifikuese për Evropian, kurse me rezultat të ngushtë u mposht më 16 qershor në Nurnberg nga gjigantja Gjermania, me shifrat 28:17.

Kundër Gjermanisë, denjësisht, u paraqit edhe ekipi kombëtar i femrave, që fitoi edhe disa ndeshe në një turne.

Nën hijen e rezultateve të ekipeve kombëtare mbeten klubet, të cilat u ndalën në ndeshjet e tyre të para.

Një vit pa ndonjë rezultat të madh nga volejbollistët

Sukseset e hendbollit nuk u përcollën edhe te volejbolli, megjithëse ekipet kombëtare nuk kanë pasur gara kualifikuese.

Por, Kosova me disa grup-mosha mori pjesë në gara të ndryshme, ballkanike, ‘Beach Volley’, por pa arritur ndonjë sukses që mund të veçohet.

Pa sukses këtë vit në arenën ndërkombëtare u paraqitën edhe dy skuadrat kampione në të dyja konkurrencat, ajo e meshkujve Luboteni dhe e femrave Drita.

Luboteni i Ferizajt u eliminua nga gara “Challenge Cup”, pasi pësoi disfatë në të dyja ndeshjet nga skuadra turke, Spor Toto Ankara.

Nga Kupa Sfiduese u eliminua edhe ekipi i femrave të Dritës së Gjilanit, që u eliminua nga ajo greke, Ao Thiras.

Boksierët fituan disa medalje, por jo edhe në ngjarje të mëdha

Sporti i boksit, që mburret me të kaluarën e lavdishme, këtë vit e mbylli me pesë medalje të fituara në kampionatin ballkanik të mbajtur në Antalya të Turqisë, ndonëse nuk pati konkurrencë të madhe.

Donjeta Sadiku e fitoi medaljen e artë, Shpëtim Bajoku dhe Besart Pireva me medalje të argjendtë, derisa të bronztën e fituan Bashkim Bajoku dhe Patriot Behrami.

Ky i fundit ishte pranë medaljes së bronztë edhe në Lojërat Evropiane, që u mbajtën gjatë këtij viti në Minsk të Bjellorusisë. Por, ai nuk arriti ta kalojë çerekfinalen për t’u futur në zonën e medaljeve.

Megjithatë, edhe këtë vit, boksi mbeti pa fituar medalje në ndonjë ngjarje të madhe.

Karateistët Melos Gashi dhe Albulena Gërballa, fituan medalje në evropianin e Danimarkës

Edhe karateistët elitarë të Kosovës arritën të fitojnë disa medalje në ngjarje që kanë pak peshë në arenën ndërkombëtare, por edhe këtë vit mbeti pa ndonjë medalje në ndonjë ngjarje të madhe.

Por, mund të veçohen dy medaljet e fituara të Melos Gashit dhe Albulena Gërvallës, të arritura në Kampionatin Evropian për Juniorë, Kadetë dhe garues U21.

Gashi e fitoi medaljen e argjendtë në grup moshën e kadetëve, derisa Gërvalla të bronztën në grup-moshën U21, në evropianin e mbajtur në muajin shkurt në Danimarkë.

Fitorja historike e tenistëve të Kosovës, në “Davis Cup”

Ndërkohë, në prill, në shtetin tjetër në Skandinavi, Finlandë, Kosova mori pjesë me disa tenistë në turneun “Fed Cup”, ku Kosova arriti të shënojë tri fitore dhe në fund të përfundojë e katërta në mesin e nëntë shteteve të zonës së Evropës.

Edhe pse jo me ndonjë rezultat të madh, tenistët e Kosovës iu gëzuan fitores së parë në histori, kundër një shteti në garat zyrtare ndërkombëtare.

Kjo fitore u arrit në garat e grupit të katërt, në kuadër të Kupës Botërore për meshkuj, që ndryshe njihet si “Davis Cup”, duke e mposhtur Andorrën.

Në ranglistën e publikuar në nëntor, Kosova është renditur në vendin e 127-të të “DavisCup”-it dhe kjo është një ngritje për pesë vende për dallim nga viti 2018.

SHBA-ja Kampione e Botës, për Asllanin e bronzta

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vazhduar dominimin në futbollin botëror të femrave, duke e fituar Kupën e Botës, që u mbajt këtë vit në Francë.

Vashat amerikane në finale kanë mposhtur kombëtaren e Holandës me rezultat 2:0.

Në këtë botëror ka shkëlqyer edhe futbollistja nga Kosova, Kosovare Asllani, e cila me Suedinë është stolisur me medaljen e bronztë.

Asllani në këtë botëror përveç medaljes, pati paraqitje fantastike, individuale duke realizuar tre gola.

Pas Kupës së Botës, Asllani ka bërë hap të madh në karrierë duke nënshkruar me skuadrën e madhe spanjolle, Real Madrid.

Kapitenia e kombëtares amerikane, Megan Rapinoe, u shpall futbollistja më e mirë e këtij turneu.

Toronto, kampion i Ligës NBA, i prish serinë Golden State Warriorsit

Në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA, pati shumë befasi.

Yjet e Golden State Warriors nuk ia kanë dalë ta mbrojnë titullin e kampionit, pasi këtë vit, Toronto Raptors, ka shkruar historinë duke e fituar për herë të parë trofeun e çmuar.

Kanadezët në fillim të edicionit kishin transferuar basketbollistin Kawhi Leonard, transfer, i cili doli të ishte edhe çelësi i suksesit për “dinosaurët”.

Torontos në finalen e Play Offit iu lehtësuan punët, pasi “luftëtarët” mbetën pa yjet, Kevin Durant e Klay Thompson të lënduar.

Golden State e nisi mirë finalen e Play-Offit pasi e fitoi duelin e parë, mirëpo Raptorsat të udhëhequr nga Leonardi dhe kamerunasi Siakam përmbysën gjithçka.

Toronto e fitoi këtë seri finale me rezultat 4:2, duke ia sjellë Kanadasë titullin e parë kampion në basketboll.

Leonardi fitoi çmimin e MVP-së të Play Offit, kurse basketbollisti më i mirë i sezonit të rregullt u shpall Giannis Antetokounmpo.

Lebron Jamesi, pas transferimit te Los Angeles Lakers ka dëshpëruar në sezonin e parë me kalifornianët, pasi mbeti jashtë Play Offit

CSKA-ja, kampione e Euroligës, për herë të tetë

Për dallim nga Liga NBA, në Evropë ka triumfuar një nga skuadrat më të trofeshme në kontinentin e vjetër, CSKA-ja e Moskës, që fitoi titullin e 8-të në Euroleague.

Në “Fernando Buesa Arena” në Spanjë, është mbajtur Final Four-i i këtij edicioni ne Euroleague, e ku përveç rusëve të CSKA-së, ishin kualifikuar edhe Real Madridi, Fenerbahçe dhe Anadolu Efesi.

Në gjysmëfinalen e parë, Efesi e fitoi derbin e Stambollit ndaj Fenerit, me rezultat të thellë, 92:73 kurse rusët mposhtën Realin me pesë pikë më shumë, 95:90.

Në finalen e madhe, turqit iu dorëzuan skuadrës ruse, të cilët fituan me shifrat 94:75. MVP-ja i Final Fourit ishte Will Clyburn i CSKA-së, kurse në sezonin e rregullt më i miri u cilësua Jan Vesely i Fenerbahçes.

Befasi në Botërorin e basketbollit, triumfon Spanja para SHBA-së

Pavarësisht përfundimit të ligave, vera ishte e zjarrtë në basketboll, pasi në Kinë u mbajt edicioni i 18-të i Kupës së Botës në basketboll.

Spanja i dha fund dominimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke rikthyer titullin kampion pas plot 15 vjetësh.

“Stuhia e kuqe” nuk pësoi asnjë humbje gjatë rrugëtimit deri në finalen e madhe, e ku në finale, e deklasoi befasinë e këtij edicionit, Argjentinën, me rezultat 95:75.

Medaljen e bronztë e fitoi Franca, që e mposhti Australinë 67:59.

MVP-ja i Kupës së Botës u shpall spanjolli Ricky Rubio.

SHBA-ja zhgënjeu në këtë botëror, pasi u ndal në çerekfinale nga Franca, edhe pse në Kinë kishin udhëtuar pa yjet kryesorë të ligës NBA.

Viti i tenistit Rafael Nadal, i pari në ranglistën e ATP-së

Rafael Nadal e ka mbyllur vitin 2019 në majën e tenisit botëror, duke e rrëzuar nga froni tenistin serb, Novak Xhokoviq.

Në konkurrencën e femrave, Ashleigh Barty shkëlqeu në këtë vit, pasi për herë të parë rrëmbeu vendin e parë në ranglistën e përgjithshme për teniste.

Megjithatë, spanjolli Nadal nuk e nisi mirë Grand Slamin e parë kalendarik, pasi u mposht në Australian Open nga Xhokoviqi, 3:0 në sete.

Te femrat, fantastike ishte japonezja Naomi Osaka, e cila në finalen e Melbournet triumfoi ndaj Petra Kvitovas, 2:1 në sete.

Në “French Open”, i padiskutueshëm ishte rekordmeni i këtij Grand Slami, Rafael Nadal.

Spanjolli fitoi titullin e 12-të në Roland Garros, pasi në finale tejkaloi 3:1 në sete austriakun Dominic Thiem.

Në konkurrencën e femrave, tenistja nga Australia, Barty me lehtësi e mposhti në finale çeken Marketa Voundrousova.

Finalen më të gjatë në histori të Wimbledonit, pothuajse 5 orëshe, ndërmjet Roger Federerit dhe Xhokoviqit e fitoi ky i fundit 3:2 në sete, pas tie-breakut në setin e pestë, i cili ishte i pari i luajtur ndonjëherë në finalen e Wimbledonit.

Simona Halep kremtoi triumfin te femrat, pasi në finale më lehtë sesa që pritej, fitoi ndaj Serena Williamsit, 2:0 në sete, 6:2 dhe 6:2.

Nadali ishte dominues edhe në US Open ku fitoi edhe Grand Slamin e dytë për këtë vit, këtë herë pasi mposhti me shumë vështirësi rusin Danil Medvedev, 3:2 në sete.

Humbjen e radhës në turnet Grand Slam, Serena Williamsit ia shkaktoi Bianca Andreescu, e cila e mposhti 2:0 në sete, 6:3 dhe 7:5, duke u bërë kanadezja e parë që fitoi një titull Grand Slam.

Mbizotërim i Hamiltonit dhe Mercedesit në Formula 1

Në Formula 1, vazhdon avazi i vjetër ku i padiskutueshëm është drejtuesi i Mercedesit, Lewis Hamilton.

Britaniku ka fituar kampionatin për herë të tretën herë rresht dhe të gjashtin në karrierë.

Hamilton pavarësisht se nuk e nisi mirë kampionatin, duke përfunduar i dyti në garën e parë të mbajtur në Australi, e vazhdoi kampionatin duke fituar 11 gara dhe duke mbledhur dukshëm pikë më shumë se ngasësit e tjerë.

Këtë vit gara e zbehtë për më të mirin në Formula 1, u zhvillua brenda shtëpisë së Mercedesit, ku i dyti u pozicionua finlandezi Valtteri Bottas, kurse top-treshen e mbylli 22-vjeçari i Red Bullit, Max Verstappen.

Në kategorinë e konstruktorëve, Mercedesi ishte bindshëm i pari, kurse pas tyre u pozicionuan ekipet e Ferrarit dhe të Red Bullit.

Marc Marquez, i padiskutueshëm në botën e motoçiklizmit

Edhe në Moto GP, vitet po ecin mirëpo kampioni ka mbetur i njëjti për të katërtin vit me radhë.

Marc Marquez me Hondan e tij, ka blinduar titullin e më të mirit në Moto GP pasi edhe këtë vit, ishte larg më i mirë se Antonio Dovizioso i Ducatit, i cili e mbylli kampionatin i dyti, ndërsa Maverick Vinales me Yamahan u rendit i treti.

Për spanjollin e Hondas, ky ishte titulli i gjashtë në Moto GP.

Egan Bernal fituesi i garës çiklistike “Tour de France”

Egan Bernal u bë çiklisti më i ri në moshë, që e ka fituar garën më të madhe në botë, “Tour de France”.

22-vjeçari, po ashtu, u bë kolumbiani i parë që e fitoi garën e famshme të çiklizmit.

Pas kolumbianit, në pozitën e dytë u rendit uellsiani Geraint Thomas, kurse Steven Kruijswijk nga Holanda doli i treti.

Joshua i humb dhe i rikthen titujt e kampionit, në duel me Ruizin

Në verën e vitit 2019, Anthony Joshua u befasua nga boksieri me prejardhje meksikane Andy Ruiz Jr., i cili e mposhti Joshuan me nokaut teknik në rundin e 7-të, duke ia shkaktuar kampionit të deriatëhershëm, humbjen e parë në karrierë dhe njëherësh ia rrëmbeu titujt e botës.

Mirëpo, hakmarrja nga Joshua nuk vonoi shumë, pasi 6 muaj më vonë në Arabinë Saudite, britaniku i ktheu titujt, duke e mposhtur Ruizin pas vendimit unanim të gjyqtarëve.

Shfaq më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published.