KULTURË

Viti 1968: Demonstratat, për ndryshim…

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1968?

Viti 1968 është vit i zhvillimeve të mëdha për shqiptarët. Fillimisht, vlen të përmendet Konferenca Albanologjike e mbajtur në Tiranë (17 janar 1968) dhe Simpoziumi shkencor i mbajtur në Prishtinë (9-12 maj 1968), me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ku morën pjesë studiues shqiptarë e të huaj të fushave të historisë, të letërsisë, të gjuhësisë, të folklorit dhe të etnografisë. Pastaj, ishte Konsulta e njësimit të gjuhës shqipe, e mbajtur më 22-23 prill 1968 në Prishtinë, në të cilën u konstatua se si “gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi njihej njëzëri gjuha letrare e shtetit amë (Shqipërisë)”. Pastaj ishin manifestimet e shumta me rastin e 90-vjetorit (qershor 1968) të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të 60-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Po më 1968 nisën diskutimet për ndryshime kushtetuese në Federatën jugosllave, me të cilat parashihej avancimi i statusit të Kosovës.

Pas rënies së Rankoviqit në Plenumin e IV-t të KQ të LKJ-së (i njohur si Plenumi i Brioneve), gjërat nisin të ndryshojnë për të mirë për shqiptarët në Jugosllavi. Nëpër shkolla shtohet kuadri shqiptar, por ende mungonte ai i kualifikuari për çka shumë lëndë vazhdonin të jepeshin në serbisht. Revistat, si “Jeta e re” dhe “Zëri i Rinisë”, botonin shkrime historike, përfshirë ato të historianëve nga Shqipëria. Ndërsa, Redaksia e Botimeve “Rilindja” u kushtonte rëndësi veprave që flisnin për jetën dhe të bëmat e Skënderbeut.

Në këtë vit shmanget emërtimi fyes që serbët e përdorin për shqiptarët, “shiptar” ose “shiftar”, ndërsa në vend të Metohisë nis të përdoret termi Rrafshi i Dukagjinit.

Por, shqiptarët vazhdonin të ishin prapë më të diskriminuarit në Jugosllavi. Kjo ka bërë që të shpërthenin demonstratat për avancimin e të drejtave të tyre kombëtare. Demonstrata e parë u mbajt më 6 tetor 1968 në Prizren, për të vazhduar në tetor, nëntor e dhjetor në qytete tjera të Kosovës, madje në Ulqin, Preshevë e Tetovë.

Parullat që u përdorën në këto demonstrata, ishin: “Rroftë flamuri kuq e zi!”, “Rroftë populli shqiptar!”, “Duam Universitet!”, “Duam barazi!”, “Duam vetëvendosje”, “Askush të mos luajë me fatin tonë”, ”Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”, ”Viset e banuara me shqiptarë t´i bashkohen Kosovës”, ”Për të drejtat tona gjak do të derdhim”, ”Në një dorë kazmën e në tjetrën pushkën”, ”Duam Republikë”, “Duam vetëvendosje deri në shkëputje”, “LNÇ-ja nuk na solli lirinë!”, “Duam Kushtetutë!”, “Duam bashkimin e Preshevës me Kosovën!”, “Poshtë burokracia!”, “Poshtë tradhtarët!”, “Poshtë Veli Deva!”, “Rroftë Klasa punëtore!”, “Rrofshin minatorët”, “Rroftë fshatarësia”, “Rroftë rinia”, “Poshtë Fadil Hoxha”, “Rroftë vëllazëria shqiptare”, “Rroftë Adem Demaçi”, “Rroftë Kadri Halimi”, “Duam lirimin e të burgosurve politikë”…

Dhjetëra demonstrues u arrestuan dhe u dënuan; shumë nga ta u plagosën; ndërkaq u vra 17-vjeçari Murat Mehmeti – nxënës i Shkollës së Mesme Teknike në Prishtinë.
Se barazia në Jugosllavi nuk vlente për shqiptarët, këtë e dëshmon shkrimi i gazetares Christine Von Kohl, në ditoren “Die Presse” të Austrisë, më 9 dhjetor 1968, në të cilin serbët thoshin haptas se “të gjithë shqiptarët duhet shpërngulur në Shqipëri”!

Për demonstratat, pala jugosllave kishte akuzuar Shqipërinë si nxitëse. Por, për këto ngjarje nuk kishte ndonjë deklarim e qëndrim të qartë nga pala shqiptare, sidomos për statusin e Kosovës si republikë. Sidoqoftë, demonstratat e vitit 1968 ndikuan që shqiptarët pa frikë ta përdornin flamurin. Pastaj, më 1970 themelohet Universiteti i Prishtinës. Ndërkaq, në vitin 1974 u miratua Kushtetuta e re që Kosovën e bëri pjesë të Federatës jugosllave. Pos kësaj, u përmirësuan edhe raportet Shqipëri-Jugosllavi, me çka u shtuan kontaktet mes krijuesve dhe intelektualëve shqiptarë të të dy anëve të kufirit.

Me këto demonstrata lindi një mit urban, se sa “tolerant” Tito ka qenë. Atëherë, po edhe sot besohet se kur Tito “rastësisht” dëgjoi se shqiptarët kanë çue krye në Kosovë, pyet se çfarë kërkojnë. “Flamurin”, i thonë këshilltarët. “Po ua jepni pra”, ishte “përgjigja” e menjëhershme dhe e lehtë e Titos. Në fakt, ai kishte thënë “studentët kanë të drejtë” për protestat studentore në Beograd, Zagreb, Lubjanë e Sarajevë, që ishin shumë të ndryshme nga ato të shqiptarëve e që kishin të bënin kryesisht me reformat ekonomike që shkaktonin papunësi dhe largime të rinisë për në Perëndim. Kërkesat e studentëve shqiptarë dalloheshin edhe nga kërkesat e studentëve të Perëndimit që më 1968 protestonin për barazi gjinore, sociale, racore, liberalizim, ambientalizëm…

Kosova më 1968 kishte 1,159,000 banorë, ndërsa Shqipëria 2,052,778. Këtë vit lindin Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

Shfaqja “Skënderbeu” e Lec Shllakut, në Teatrin “Skampa” të Elbasanit

Kur është fjala te flamuri, duhet theksuar se pas rënies së Rankoviqit, elita politike e Kosovës që më 1967 e kishte iniciuar çështjen e flamurit, madje edhe në takimet që kishin me Titon. Serbët – në krye me Dobrica Qosiqin – në një mbledhje të KQ të LK të Serbisë, i kishin kundërshtuar haptazi diskutimet për rikthimin e të drejtës së përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar, pra edhe të rregullimit të asaj të drejte me ligj dhe me Kushtetutë. Megjithatë, kjo e drejtë u aprovua në një mbledhje të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës, më 4 tetor 1968, në Prishtinë. Ilaz Kurteshi, në cilësi të kryetarit të atëhershëm të LSPP-së, në fjalën hyrëse kishte theksuar se përdorimi i lirë i flamurit shqiptar është element i barazisë kombëtare. Në atë mbledhje ishin edhe Fadil Hoxha (asokohe kryetar i Kuvendit të Kosovës), Veli Deva (kryetar i LK të Kosovës), Avdi Bakalli, Ismet Gunga dhe personalitete të tjera të kohës.

Fotografi e 6 tetorit të vitit 1968, kur u lirua përdorimi i flamurit kombëtar për shqiptarët në ish-Jugosllavi. Në foto (nga e majta), janë: publicisti Bajram Mjeku dhe djali i tij i axhës, Jakup Mjeku

Lufta e Ftohtë vazhdonte ta mbante botën të ndarë në bllokun kapitalist dhe në atë komunist. Por, edhe mes bllokut komunist kishte ndarje. Shumica e shteteve ishin satelite të BRSS-së. Dy nga to kishin politika të pavarura – Koreja e Veriut dhe Jugosllavia. Ndërsa, dy shtete tjera kundërshtonin BRSS-në, por i lidhte e njëjta ideologji – Kina dhe Shqipëria.

Më 20-21 gusht 1968, BRSS-ja invadoi Çekosllovakinë, akt të cilin Shqipëria e vogël e dënoi fuqishëm. Mu për këtë, më 13 shtator 1968, Shqiptaria zyrtarisht largohet nga Pakti i Varshavës, ku ishte anëtarësuar më 14 maj 1955.

Lufta e Vietnamit ishte në qendër të zhvillimeve në botë. Në janar 1968 nis Ofensiva Tet që përfshin sulmet e Viet-Kongëve në 100 qytete. Luftimet ishin aq të ashpra sa që gjenerali amerikan William Westmoreland përmendi përdorimin e bombës atomike. Për t’u përkeqësuar situata, u themelua edhe grupacioni komunist Kmerët e Kuq, që financimin kryesor e kishte nga Kina.

Pamje nga luftimet në Vietnam

Më 1968 nisi ngritja e Saddam Husseinit në Irak, ndërsa Mao Zedongu kërkon riedukim të rinisë urbane në fshatra, përmes lëvizjes: “Lartë në male dhe poshtë në fusha”.

Viti 1968 vlen të përmendet edhe për zhvillimet teknologjike, sepse presidenti amerikan Lyndon B. Johnson kërkon që të gjithë kompjuterët qeveritarë të mbështesnin ASCII-n. Të njëjtën politikë e vazhdoi presidenti republikan Richard Nixon, që në zgjedhjet presidenciale në SHBA të këtij viti, mundi demokratin William Westmoreland.

Këtë vit në kinema jepet premiera e një prej kryeveprave më të mëdha të kinematografisë, “2001: Odiseja hapësinore”, me regji të Stanley Kubrickut. Në BRSS këtë kryevepër kinematografike e konceptuan si garë tjetër mes Lindjes dhe Perëndimit, ndaj më 1972 erdhi “kundërpërgjigja” e tyre me filmin “Solaris” të një gjeniu tjetër të regjisë së filmit – Andrei Tarkovsky.

Më 1968 lindin aktorët: Will Smith, Hugh Jackman, Owen Wilson, Daniel Craig, Josh Brolin… këngëtaret: Celine Dion, Kylie Minogue, Lisa Marie Presley (e bija e Elvisit)… ndërsa vdes njeriu i parë që fluturoi në hapësirë, Yuri Gagarin, dhe pas sulmit me armë edhe fituesi i Nobelit për Paqe, Martin Luther King Jr. /Telegrafi/

Homazhe për nobelistin dhe luftëtarin e madh të të drejtave të njeriut